Ilir Meta dhe Ambasadori i Çekisë

Meta takim me Ambasadorin e Çekisë: Zhbllokimi i ngërçit mes Maqedonisë dhe Bullgarisë me rëndësi për hapjen e negociatave me Shqipërinë

18 Korrik 2022, 16:57| Përditesimi: 18 Korrik 2022, 17:07

  • Share

Në ditët e fundit të mandatit të presidentit, Ilir Meta zhvilloi një takim me Ambasadorin e Republikës Çeke, Karel Urban.

Ky takim sipas Metës është zhvilluar me rastin e fillimit të Presidencës Çeke në Bashkimin Europian. Presidenti tregon se Urban ka folur për përparësitë e vendit të tij në drejtimin e BE, e cila ka qenë dhe e kushtëzuar nga gjendja e krijuar prej agresionit rus në Ukrainë.

Më pas thekson rëndësinë që ka zhbllokimi i ngërçit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgaris si dhe për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ishte një kënaqësi e veçantë të prisja në takim Ambasadorin e Republikës Çeke, Karel Urban me rastin e fillimit të Presidencës Çeke të Bashkimit Europian. Më paraqiti përparësitë e vendit të tij në drejtimin e BE, të kushtëzuara në një pjesë të madhe edhe nga gjendja e krijuar pas agresionit rus në Ukrainë. Urova për sukses të plotë Presidencës Çeke të BE dhe theksova rëndësinë e zhbllokimit të ngërçit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, për fillimin e procesit të hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si një akt i qartë dhe i vendosur për perspektivën e anëtarësimit të plotë të dy vendeve në familjen europiane, por edhe për forcimin e bashkëpunimit të vendeve të rajonit drejt perspektivës së përbashkët të anëtarësimit në BE.”, shkruan Meta në Facebook.

Nesër do të mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE e cila do të përbehet nga 25 figura të qeverisë e të administratës që janë kyç në procesin e integrimit.

Delegacioni do të kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, dhe përbëhet nga figura kryesore shefja e diplomacisë Xhaçka, kryenegociatori Zef Mazi, zv.min. e drejtorët që merren me çështjen e negociatave. Është parashikuar që takimi të zgjasë 90 minuta dhe më pas do të ketë edhe një konferencë për shtyp.

Ndërsa delegacioni i BE do të kryesohet nga ministri i jashtëm çek, si vendi që ka presidencën e radhës së BE, ndërkohë që do të marrin pjesë edhe përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme Borrel dhe Komisioneri për zgjerimin Varhelyi.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?