Politikë

Meta si Rama: Rritja e bashkëpunimit rajonal do na çojë në BE

7 Korrik 2021, 20:45| Përditesimi: 7 Korrik 2021, 20:50

  • Share

Presidenti Ilir Meta kohët e fundit është shfaqur i tërhequr nga deklaratat e shumta që jepte për mediat, ku shumica e tyre ishin sulme ndaj qeverisë. Pas shkarkimit të tij nga Kuvendi i Shqipërisë, ku fjalën e fundit pritet ta ketë Gjykata Kushtetuese, Meta ka qenë i vetëpërmbajtur në deklarata. Sot ka nxjerrë në pah edhe ‘zbutjen’ e tij karshi qeverisë, ku me një deklaratë ku dënonte masakrat në Srebrenicë dhe përshëndeste miratimin e Kuvendit të Kosovës për rezolutën që dënon këtë gjenocid, ashtu si kryeministri Rama ka dhënë edhe mesazhin se bashkëpunimi rajonal do të sjellë paqe dhe integrimin në BE.

Kryeministri Edi Rama, në Forumin e Prespës, tha se vetëm me forcimin e bashkëpunimit rajonal mund të integrohemi në BE, dhe këtë qëndrim ka mbajtur dhe Meta, i cili ka theksuar se vetëm duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe bashkëjetesën fetare dhe etnike mund të ketë paqe dhe zhvillim në Ballkan dhe se vetëm kështu mund të integrohemi në BE.   

“E përshëndes miratimin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të Rezolutës për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, masakrës më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore, që ndodhi 26 vite më parë, në zemër të Europës dhe që kurrsesi nuk duhej të ishte lejuar të ndodhte.

Duke e përkrahur këtë Rezolutë, i bashkohem pikëllimit të thellë për viktimat e pafajshme dhe nderimit të kujtimit të tyre, dënimit të çdo përpjekje për mohimin e këtij gjenocidi dhe e përqafoj thirrjen për të bërë çdo përpjekje, që përgjegjësit e kësaj masakre të marrin dënimin e merituar nga drejtësia.

Vetëm duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe bashkëjetesën etnike e fetare do të konsolidojmë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe do të ecim përpara drejt së ardhmes të përbashkët në Bashkimin Europian”, shkruan Meta në postimin e tij në facebook

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?