Musine Kokalari

Kronikë

38 vite nga vdekja e Musine Kokalarit, Meta: Simbol i rezistencës, ndriçoi me idetë e saj për mbrojtjen e demokracisë

13 Gusht 2021, 12:08| Përditesimi: 13 Gusht 2021, 12:16

  • Share

Në 38-vjetorin e ndarjes nga jeta të Musine Kokalarit, Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar një nga të persekutuarat e regjimit komunist në vendin tonë. Përmes një postimi në 'Facebook', Meta e cilëson Kokalarin simbol të rezistencës që në kohën e komunizmit luftoi për mbrojtjen e demokracisë e lirisë së të drejtave të njeriut.

"Me nderimin më të thellë, përkujtojmë sot simbolin e rezistencës, të intelektuales së mirëfilltë dhe të fuqisë së gruas shqiptare, disidenten e paharruar, patrioten, aktivisten përparimtare sociale dhe politike, Musine Kokalari, që në periudhën më të errët, ndriçoi për të mos u shuar kurrë, me idetë e saj frymëzuese në çdo kohë për mbrojtjen e demokracisë, të lirisë, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor", shkruan Meta.

Kush ishte Musine Kokalari?

Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adanë, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali.

Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari.

Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga një sëmundje e rëndë, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?