Meta ktheu heqjen e rentës minerare si ligj klientelist, Komisioni i Ekonomisë e rrëzon! Bushati: Presidenti po na humb kohën

2 Shkurt 2021, 12:30| Përditesimi: 2 Shkurt 2021, 15:19

  • Share

Me 7 vota kundër dhe 4 vota pro Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar sot dekretin e Presidenti Ilir Meta i cili ktheu ligjin për "Taksat Kombëtare" . Komisioni i Ekonomisë vendosi sot që ato të kalojnë në Kuvend për miratim.Për presidencën ky ligj është preferencial.

“Situata pandemike ka sjell rënie në të gjithë sektorët, por kësaj nisme i mungon transparenca sa i takon analizimit të kostove pozitive dhe negative për këtë sektor. Kjo nismë është ndihmuese vetëm për një sektor, trajtim preferencial pasi nuk ka numrin e kompanive përfituese dhe xhiron që ata gjenerojnë”, u shpreh Bledar Dervishaj.

Ndërsa për qeverinë është humbje kohe të shqyrtohet çdo dekret që kthehet nga presidenti me argumente opozitare.

“Këto janë argumente opozitare që do të kishin të drejtën e diskutimit nëse do vinin nga një parti politike. I kemi sjell argumentet financiare, pasi sjell rritje të aktivitetit apo nxitje të punësimit në sektor. Jo të gjitha dekretet mund të kthehen kështu sepse është humbje kohe”, tha deputeti i PS, Ervin Bushati.

Ligji për "Taksat Kombëtare" parashikon përjashtimin nga taksa e rentës minerare për mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve minerare (ferrokromi, koncentratet e kromit dhe të bakrit) nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në fund të vitit 2023 (pra për 3 vjet), dhe aplikimin e normës së rentës minerare në masën 1/3, për vitin 2024 e në vijim. Nga ky ligj janë 20 kompani që përfitojnë dhe kostoja e buxhetit për 3 vite ishte parashikuar 500 milionë lekë. Ky vendim i qeverisë sipas relacionit do të ndikojë edhe në nxitjen e mëtejshme të përpunimit e për pasojë edhe rritje të punësimit në këtë sektor.

Ky ligj u konsideruar nga Presidenti Meta si klientelist dhe bën një trajtim të favorizuar fiskal të një dege të industrisë në raport me degët e tjera. Meta tha ky ligj pritet të sjellë një efekt negativ në buxhetin e shtetit prej afërsisht 500 milion lekësh, në të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore, si dhe mbi të gjitha nuk ka transparencë dhe për këtë e ktheu atë për rishqyrtim.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?