Politikë

Meta e fton për debat publik, Rama: Kam shumë ftesa, s'po kuptoj kush është lideri në opozitë! Për zgjedhjet pres çdo gjë nga Iliri e Saliu, të mjegulluar nga drejtësia

16 Prill 2021, 22:39| Përditesimi: 16 Prill 2021, 23:09

  • Share

Kryeministri Edi Rama pas Lulzim Bashës ka refuzuar edhe ftesën e Presidentit Ilir Meta për debat publik. Rama madje ironizoi se këto kohë po i vijnë shumë ftesa për debat aq sa nuk po kupton më se kush është lideri i opozitës.

“Kam shumë ftesa për të dalë dhe duke qenë se nuk kuptoj se cili nga këta është ai që flet në emër të të gjithë këtyre s’kam pse t’u përgjigjem ftesa. Ilir Meta i bën ftesë edhe Damian Gjiknurit për t’u përballur në një studio në Vlorë. Presidenti i Republikës, i bën ftesë Damian Gjiknurit. Nuk ka kohë për të humbur", tha Rama në Vizion Plus.

Teksa ka vijuar ta cilësoi kryedemokratin si lider pa karakter dhe të dobët, Rama kishte tjetër mendim për Sali Berishën për të cilin tha se është lider me karakter, por i mbrapshtë. Ai tha se nuk do të negocionte kurrë me Berishën pas me të politika është e patejkalueshme.

" Besoj që metafora e kukullës shpjegon më së miri natyrën e lidershipit të Bashës. I dobët, pakarakter dhe tërësisht të adapotueshëm sipas programit të kurdisjes. Ky është definicioni i karakterit të lidershipit. Nuk ka lider pa karakter, mund ta kenë të mbrapshtë, si Berisha, por ai është lider. Lider pa karakter do të thotë që nuk merr do t vendime, nuk mban dot fjalën dhe nuk ka fuqi të mundë gjumin, që nuk udhëheq, por udhëhiqet. Me Saliun politika është e patejkalueshme", tha Rama.

Ora 23:04
Trazira në zgjedhje? Rama: Pres çdo gjë, Meta është jashtë kapakut të mendjes! Bashkë me Saliun, të mjegulluar nga drejtësia

Kryeministri Edi Rama nuk mohon mundësinë që zgjedhjet e 25 prillit të shoqërohen me trazira. Duke marrë shkas nga kërcënimet e Ilir Metës për “prerje dore” dhe tonet e tij të larta, Rama tha se nga ai mund të presësh gjithçka. Kjo sepse, sipas kryetarit të mazhorancës, presidenti ka dalë nga vetja.

“Nuk shoh filxhan të them të drejtën, por mendoj që Ilir Meta është totalisht jashtë vetes, jashtë funksionit të presidentit, totalisht jashtë kapakut të mendjes, çdo gjë mund të presësh. Zgjedhjet në Shqipëri deri tani nuk kanë asnjë shqetësim. Fushata elektorale deri tani është e civilizuar, duke përjashtuar Metën dhe Saliun. Duan ta mbajnë Shqipërinë në qerthullin e mendjes së tyre, që është e mjegulluar për shkak të reformës në drejtësi”, tha Rama

Ora 22:45
Rama: Premtimet e Bashës kërkojnë rritje ekonomike 18%, kaq s’e ka pasur as Kina! Për aeroportin e Vlorës kam luftuar si qen, por e ndali virusi

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar premtimet e Bashës për zgjedhjet, duke thënë se ato kërkojnë një rritje ekonomike me 18 % gjë që nuk e ka as Kina. Ai përmendi aeroportin e Vlorës, ku tha se ai premtim është i arritshëm por që për fat të keq u vonua nga virusi.

"Unë kam bërë premtime që mund të realizohen, jo si këto premtimet e Bashës, që kërkojnë 3.7 mld euro, dhe kërkojnë një rritje 18%. Kaq s’e ka pasur as Kina. Unë premtova aeroportin e Vlorës. Për aeroportin e Vlorës kam luftuar si qen, por ja që ti kur hyn në proces ka shumë gjëra që ndodhin, vjen momenti kur ti hap garën del një virus gara jote ndalet dhe ti duhet të merresh me virusin. Unë s’kam harruar asnjë premtim dhe të gjitha që kam thënë do i mbaj", tha Rama

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?