'Mësuesit ankohen për drejtoreshën, letër për heqjen e padrejtë nga puna!', Baçi: Skenar i përgatitur me Ministrinë e Arsimit

13 Qershor 2020, 13:36| Përditesimi: 13 Qershor 2020, 13:39

  • Share

Ish-deputeti i PD-së në Fier, Luan Baçi, thotë se në shkollën e mesme 'Janaq Kilica' po bëhen disa padrejtësi. Baçi ka shpërndarë një letër një të shkruar nga mësuesit e këtij gjimnazi, në të cilin pak muaj më parë u helmuan disa nxënës,  drejtuar drejtuesve të ministrisë së Arsimit. 

Në letrën e mësuesve thuhet se drejtoresha e kësaj shkolle po përpiqet të heqë nga puna disa mësues të cilët nuk i binden, me pretekstin e uljes së numrin të nxënësve, ndërkohë që sipas mësuesve nga viti në vit ndodh e kundërta, pasi 'Janaq Kilica' është gjimnazi më me kredenciale në Fier.

"Shkolla "Janaq Kilica" shkolla me me tradite ne Fier, e shumepelqyer nga nxenes dhe prinder te tyre, tashme eshte kthyer ne shkollen e skandaleve dhe te padrejtesive.
U be e famshme me helmimin e nxenesve, para disa muajsh, per disa dite rreshte, duke nderprere mesimin dhe duke bllokuar spitalin me femije te shtruar me urgjence.
Minister Shahini, pa pike turpi dhe me injorancen qe e karakterizon, akuzoi opoziten dhe ne deputetet e PD ne Fier, per inskenim dhe organizim te ketyre veprimeve, na premtoi se se shpejti, hetimet do te nxirrnin ne shesh, pergjegjesit, por e harroi dhe asgje nuk na tregoi, e hengri nga goja, turpin me buke


Tashme ne kete shkolle po ndodh komedia dhe padrejtesia e radhes. Drejtuesit e shkolles ne kordinim perfekt me drejtorine arsimore dhe ministrine e arsimit, po bejne gati skenarin, per hakmarrje ndaj mesuesve, qe nuk jane pjese e rilindjes dhe qe kritikojne, dhe denoncojne veprimet abuzive te drejtuesve.


Per me shume po ve ne dispozicion, LETER ANKESEN e mesuesve te shkolles "Janaq Kilica" drejtuar drejtuesve te arsimit, me kerkesen e tyre per ta bere publike, pasi siç ndodh gjithmone, pushteti i korruptuar i rilindjes, ndalon çdo publikim dhe mban ne terr informativ, çdo shqetesim dhe problem, qe diskrediton dhe nxjerr ne pah, fytyren e vertet te rilindjes se Ramisteve.


" LETER ANKESA"
ANKESË
DREJTUAR: DREJTORIT TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR , TIRANË, ZOTIT SELMAN HODAJ
PËR DIJENI: MINISTRES SË ARSIMIT , ZONJA BESA SHAHINI
KRYETARIT TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE , ZOTIT EDI RAMA
I Nderuar Zoti Hodaj ,


Në Gjimnazin “Janaq Kilica” , Fier , ditën e premte , datë 5 qershor 2020, është zhvilluar një mbledhje e drejtorisë së shkollës me këshillin e mësuesve, në të cilën drejtoresha e shkollës, zonja Fereniqi Fuli u ka paraqitur mësuesve planifikimin për numrin e klasave dhe normave mësimore për vitin shkollor 2020-2021. Në parashikimin e bërë, drejtoresha komunikoi se për vitin që vjen do të ketë më pak regjistrime të nxënësve në shkollë dhe për rrjedhojë do të mbyllen disa klasa. Nisur nga kjo, drejtoresha u komunikoi mësuesve se do të niste vlerësimi i dosjeve të mësuesve për çdo ekip lëndor, si procedurë për largimin nga puna të mësuesve që dalin tepër.
Një vendim i tillë i drejtorisë së shkollës ka sjellë reagimin e mësuesve, të cilët kanë shprehur mospranimin e tyre dhe e kanë paraqitur shqetësimin në ZVAP Fier .
I nderuar Zoti Hodaj ,


Ne mësuesit e Gjimnazit “Janaq Kilica” Fier , paraqesim objeksionet tona për mbylljen e klasave si më poshtë:
-Gjimnazi “Janaq Kilica” funksionon me dy godina bashkëkohore dhe ka mjedise të mjaftueshme për zhvillimin e mësimit.
-Gjimnazi “Janaq Kilica” është shkolla e mesme më me traditë në Fier, e ndodhur në qendër të Fierit, me rezultate dhe arritje të shkëlqyera ndër vite dhe si e tillë ka qenë gjithmonë e parapëlqyer prej nxënësve dhe ka pasur rritje të regjistrimeve nga viti në vit.


Ndaj, ne e gjykojmë si të qëllimshëm vendimin e zonjës Fuli për mbylljen e klasave për të larguar mësues nga puna.
Ju vëmë në dijeni se shqetësimi i paraqitur më lart është vetëm një nga problemet e shumta që ka shkolla jonë që nga moment i ardhjes së zonjës Fuli si drejtore në dhjetor 2019.


- Klima e krijuar në shkollë është jomiqësore, jobashkëpunuese. Drejtoresha ushtron autoritetin e saj duke tejkaluar kompetencat. Nuk respekton figurën e mësuesit, përdor ironi dhe përgjigjet me cinizëm ndaj ankesave të mësuesve.
- Nuk u kthen përgjigje ankesave të bëra me gojë apo shkrim prej mësuesve .
- Bën kontrolle në orët e mësimit të papritura dhe rastësore , pa afishuar në këndin e mësuesit planifikimin e vëzhgimeve dhe grafikun përkatës.
- Vendimet që merr nuk i diskuton dhe nuk miratohen në Këshillin e Mësuesve.
- Ka detyruar zhvillimin e mësimit në klasa shumë të vogla, jashtë kritereve të përcaktuara, sepse kërkon të mbledhë gjithë shkollën në një godinë të vetme, pasi kështu mendon se e kontrollon më mirë.
- Në muajin mars 2020 në shkollën tonë pati incidente, si pasojë e të cilave u helmuan nxënës dhe mësues ; e për këto nuk u zhvillua asnjë mbledhje me Këshillin e Mësuesve për të analizuar shkaqet dhe për të marrë bashkarisht masa për mbarëvajtjen e një procesi mësimor normal. Madje, është kërkuar prej mësuesve të caktuar një mbledhje për të sqaruar situatën , por drejtoresha nuk ka pranuar.


Për sa më sipër, ne mësuesit e Gjimnazit “Janaq Kilica” kërkojmë largimin e drejtores Zonjës Fereniqi Fuli, për arsye se drejtimi i saj ka cënuar klimën e përgjithshme të komunikimit në shkollë, ka sjellë mungesë bashkëpunimi drejtues – mësues dhe ka krijuar pasiguri përmes presioneve për largime të mësuesve nga puna .
Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj,
Me respekt,
Mësuesit e Gjimnazit “Janaq Kilica”, Fier,"
-shkruan Luan Baçi në 'facebook'.
 

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?