Mësuesi dhe gazetari që la mënjanë
gjithçka për bimët medicionale

12 Maj 2016, 08:17| Përditesimi:

  • Share
Tregu i punës në Shqipëri, sidomos në rajonin verilindor të Kukësit, viteve të fundit ka ndryshuar trend, pasi kompanitë private po kërkojnë gjithnjë e më shumë profesionistë të fushave të ndryshme, ndryshe nga sa ndodhte disa dekada më parë, kur juristi, mësuesi, inxhinieri apo edhe infermieri kishin më shumë mundësi për tu punësuar.
Tashmë, profesioni i hidraulikut, tenikut, minatorit, bujkut, fermerit, këpucarit, saldatorit etj janë disa nga profesionet më të kërkuara në treg, e kushtëzuar kjo nga shumë faktorë, mes të cilëve kthimi i vëmendjes nga toka bujqësore dhe tek përpunimi i produkteve të përfituara prej saj, apo edhe ”fryrja” e tregut me profesionet shoqërore apo humane.

Duke u nisur nga ky fakt, ka shumë prej personave që kanë lënë mënjanë profesionet e tyre, për të cilin janë diplomuar, për t’u marrë me një tjetër drejtim, që kurrë më parë nuk e kishin menduar.
I tillë është edhe Bekim Lekica nga qyteti i Kukësit, i cili ka punuar për një kohë të konsiderueshme në media dhe arsim, në fillim si mësues e më vonë si gazetar. Tashmë jeta e tij ka marrë një tjetër kthesë, duke i’u përkushtuar tërësisht kultivimit dhe shitjes të bimëve medicionale.
Duke poseduar një sipërfaqe të madhe toke bujqësore, të trashëguar nga familja e tij dhe përballë kërkesave në rritje të kompanive të mëdha brenda e jashtë vendit për bimë medicionale, ai vendosi që, me një buxhet fillimisht të limituar, të investojë për mbjelljen dhe ngritjen e serave, në të cilat prej 5 vitesh punon bashkë me disa punonjës të tjerë për kultivimin e sherebelës.

Siç tregon edhe Bekimi, sherebela është një bimë mjekësore, e cila përdoret për medikamente të ndryshme, por edhe produkte kozmetike jashtë vendit.
Ai shprehet se idea për t’u marrë me kultivimin e sherebelës, i ka lindur gjatë realizimit të një kronike televizive, përmes të cilës ai u informua mbi mundësitë dhe mbështetjen që një fermer do të mund të përfitonte duke u përshirë në projektet e Drejtorisë së Bujqësisë në Kukës dhe shoqatave të ndryshme agro-bujqësore që operojnë në këtë drejtim.

Fillimisht, Bekimit iu desh që të realizonte një studim mbi cilësinë e tokës, në të cilën do të mbillte sherebelën, sigurimin e farës së saj dhe nisjen e negociatave për tregtimin e bimëve të kultivuara, me qëllim që ato të mos mbeteshin pa shitur.
Bekimi thotë se viti i parë i kultivimit dhe tregtimit ka qenë jo i lehtë për të, pasi ai nuk i njihte mirë teknikat e kultimit dhe mënyrën e tregtimit të prodhimit.
Madje, ai shton se, për t’u bërë fermer i bimëve medicionale, i është dashur që të trajnohet dhe çertifikohet nga Drejtoria e Tatimeve dhe e Bujqësisë në Kukës, si dhe ekspertë të organizatave të ndryshme.

Nga ana tjetër, i pyetur se përse zgjodhi pikërisht kultivimin e bimëve medicionale, Bekimi thotë se, përmes këtij aktiviteti, ai ka mundësi që të përfitojë më shumë të ardhura ekonomike, për veten dhe familjen e tij, por, mbi të gjitha, të nxjerrë në treg një produkt tërësisht bio.
Përveç kësaj, Bekimi prej dy vitesh ka nisur edhe kultivimin e arroreve dhe pemëve të tjera frutore, pasi kompanitë e mëdha kanë rritur interesin edhe për frutat që kultivohen në Qarkun e Kukësit.

Por Bekimi ka edhe një këshillë për të gjithë ata persona, që duan të merren me këtë aktivitet: Për të pasur një produkt sa më cilësor, fermerët duhet të heqin dorë nga përdorimi i pesticideve dhe hormoneve, pasi kështu prodhimi i tyre do të shkojë dëm dhe dëmi ekonomik do të jetë shumë i lartë.
Sa i përket braktisjes së profesionit të mësuesit apo gazetarit, Bekimi thotë se në një të ardhme edhe mund t’i rikthehet, por për momentin, kultivimi i bimëve medicionale dhe frutorëve është prioritet i tij.
 
Bekim, për të gjithë lexuesit e gazetës tonë, a mund të na thoni, kush është Bekim Lekica?
Unë jam Bekim Lekica, kam studiuar në Universitetin e Shkodrës, në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Pasi mbarova arsimin e lartë, u riktheva në vendlindje dhe nisa punën si mësues. Më vonë, i’u futa edhe rrugës së gazetarisë. Kam punuar për shumë vite si gazetar, si në median lokale, dhe në mediat kombëtare.
 
Si kalove nga mësuesia dhe gazetaria tek bujqësia? Si e çuditshme tingëllon?
Në fakt, kjo është një pyetje që ma kanë bërë shpesh shumë njerëz. Shumë prej tyre në fillim u çuditën kur unë vendosa që të lija profesionin tim për t’u marrë me bujqësi. Por unë mendoj se për njeriun ka më shumë rëndësi që të ndjehet mirë me atë që bën dhe të përfitojë sa më shumë të mundet të ardhura nga aktiviteti i tij i përditshëm.
 
Mund të na thoni, si nisi aktiviteti juaj, si fermer?
Në fakt, ka qenë një rastësi, unë shkova me ekspertët e Drejtorisë së Bujqësisë për të realizuar një kronikë televizive për fermerët dhe aty u njoha me mundësitë që iu ofroheshin personave që vendosin që të merren me kultivimin e sherebelës. Aty, më pas, u konsultova me ekspertët për kriteret e tokës që duhet për kultivimin e bimës së sherebelës dhe koston që më duhej të përballoja. Unë kisha një sipërfaqe të konsiderueshme toke që nuk e mbillja dot, pasi mungesa e ujit vaditës nuk e bënte atë produktive. Sherebela nuk kërkon shumë vaditje, ndaj dhe toka ime ishte e duhura për një kulturë të tillë bujqësore.
 
Si ishte viti i parë i aktivitetit. Kishe probleme? I dije apo jo të gjitha “hiletë” e punës?
 Për të qenë i sinqertë, viti i parë nuk ka qenë aspak i thjeshtë. Nuk dija mirë se si të mbillja bimën, nuk dija mirë se si ta vadisja atë, se si ta punoja siç duhej, mbi të gjitha nuk e kisha tregun e sigurt. Me disa bashkëkultivues, që ndoqën të njëjtën rrugë si unë, shkuam në Shkodër dhe takuam një pronar kompanie që e grumbullon bimën medicionale. Ai na tha se bima mund të ketë treg vetëm nëse nuk shkelen kriteret e vendosura, që kanë të bëjnë me mospërdorimin e hormoneve dhe pesticideve gjatë rritjes së tyre. Konkretisht, me plehërimin e bimës, pasi nuk duhet përdorur pleh kimik, por organic, duke ruajtur cilësinë e bimës.
 
Sa sipërfaqe ke kultivuar, si është prodhimi?
 Unë kam kultivuar një sipërfaqe të madhe, rreth 15 dynym dhe prodhimi varion, pasi jo çdo vit është e njëjta situatë. Ndikon shumë faktori meterologjik, mënyra e të punuarit etj. Gjatë këtyre viteve, mund të them se kam kultivuar 22 ton me sherebelë dhe e kam shitur atë. Por ka pasur edhe raste, kur ai më ka mbetur stok dhe nuk e kam shitur dot, pasi kompanitë që na e marrin varen shumë nga kërkesa e jashtme, që synim ka eksportin.
 
Si e siguruat farën e bimës së sherebelës?
 Në fillim, disa shoqata që mbështesin fermerët më siguruan disa bimë, por më pas unë një pjesë e bleva dhe një pjesë e mora rrëzë malit të Gjallicës, pasi aty sherebela rritet në gjendje të lirë. Vit pas viti, të gjithë fitimin e kam investuar, duke shtuar sipërfaqen e tokës ku e kultivoj bimën dhe duke krijuar kushtet për tharjen e saj, pas së cilës e kam gati për treg. Konkretisht, kam ndërtuar ambientet e duhura që bëjnë të mundur mbajtjen dhe tharjen e bimës, sipas cilësisë që kërkon tregu.
 
Si ia del për të punuar 15 dynym tokë? Është e vështirë?
 Sigurisht, gjithë punën unë nuk do e përballoja dot i vetëm, pa ndihmën e personave të tjerë. Gjatë këtyre viteve, unë kam punësuar edhe disa banorë të zones, të cilët ishin të papunë dhe, përmes pagesës që unë iu jap, ata mbajnë familjet e tyre.
 
Si është një ditë e zakonshme pune për ty që në momentin kur e mbjell bimën derisa e mbledh atë?
 Dita ime e punës nis që në orën 06:00, kur unë shkoj tek parcelat e mia dhe punoj bashkë me punëtorët, duke filluar që nga punimi i tokës, mbjelljen e bimës dhe, më vonë, vaditjen dhe prashitjen, deri në fazën e pjekjes së bimës dhe, më pas, duke e mbledhur atë. Nuk mund të them se është i lehtë i gjithë proçesi, duke qenë se më duhet ta thaj të gjithë sasinë e bimës së mbledhur, me qëllim shitjen e saj.
 
Po familja, sa të ka përkrahur në gjithë këtë sipërmarrje? Angazhohet ajo?
 Në fakt, edhe vëllezërit e mi merren me kultivimin e sherebelës. Babai dhe nëna ime janë në moshë të thyer dhe nuk kanë mundësi që të punojnë. Ndërsa bashkëshortja ime merret më shumë me edukimin e vajzës dhe profesionin e saj, pasi ajo është ekonomiste. Megjithatë, kur vjen puna tek shifrat, rreth investimit dhe fitimit, ajo e kryen më së miri këtë punë. (Qesh)
 
Cila është periudha më e lodhshme dhe kur fluksi i punës është më i lartë?
 Sezoni i pranverës është shumë i ngarkuar, por edhe ai i vjeshtës, pasi bima kërkon vëmendjen e duhur, duke qenë se ka raste edhe kur kalbet apo nuk zhvillohet nga një pakujdesi sado e vogël. Kjo do të ndikonte në fitimin, të cilin unë asnjëherë nuk e lë pa e riinvestuar, me qëllim që të shtoj sipërfaqet e mbjella.
 
Duke u rikthyer pak tek profesioni juaj i parë që është mësuesia apo gazetaria, të mungojnë?
 Nuk dua të tregohem egoist; hera herës më mungon, pasi për shumë vite isha mësuar që të rrija në kontakt me gjithçka çfarë ndodhte apo të rrija pranë nxënësve të mi. Madje, sot, kur shikoj shumë prej tyre është kënaqësi që më vlerësojnë dhe më kujtojnë momente të atyre viteve. Sa i përket gazetarisë, mund të them se më mungojnë kontaktet me njerëzit, ndikimi që unë mund të kisha në zgjidhjen e shumë problemeve sociale të tyre apo edhe debatet e konfliktet që lindnin me pushtetarë apo drejtues institucionesh, sa herë që ne gazetarët mbrojmë të drejtat e qytetarëve, ndonëse interesi i drejtuesve heraherës është krejt ndryshe. (Qesh)
 
Cili është synimi juaj për periudhën në vijim? Do qëndrosh si një fermer, apo do i kthehesh mësimdhënies dhe gazetarisë?
 Të them të drejtën, nuk e di. Ajo që mund të them është se, për momentin, aktiviteti im në drejtim të kultivimit të bimëve medicinale po më ecën shumë mirë dhe, sigurisht, është më fitimprurës. Më vonë, edhe mund ta rimendoj, por pasi të kem arritur objektivat e mia. Tashmë që edhe institucionet shtetërore kanë rritur interesin drejt aftësimit profesional, janë shtuar mundësitë që gjithkush ta gjejë veten diku, ndonëse ka një diplomë të caktuar në xhep. Mund të them se një diplomë nuk mjafton për të pasur një jetë normale. Gjithsecili duhet të ketë edhe një apo më shumë profesione për të përballuar jetesën, që sot është shumë e vështirë.
 
Cilat janë objektivat e tua?
 Në të ardhmen, jam i interesuar që të kem një sipërfaqe akoma më të madhe të kultivuar me këtë bimë, ndërkohë që, nga ana tjetër, është shtimi i pemëve frutore, të cilat këto dy vitet e fundit i kam shtuar. Kam mbjellë arrore, fruta të ndryshme dhe shpresoj që të më ecë mbarë, duke qenë se kam investuar shumë burime financiare në këtë drejtim.
 
Në Qarkun e Kukësit ka një numër të konsiderueshëm fermerësh që kanë të njëjtin aktivitet. Çfarë kërkon nga shteti?
 Personalisht, mendoj se institucionet shtetërore duhet që të punojnë më shumë për të ndihmuar fermerët. Përmes subvencioneve të ndryshme, uljes së barrës së taksave për kompanitë që na i grumbullojnë produktet, apo edhe marrëveshjet e shumta që mund të nënshkruajë me vende që janë të interesuara për të blerë bimët medicionale, të cilat në vendin tonë janë të shumta dhe në rrallë vende gjenden. Shkurt, ne kemi nevojë për mbështetje, qoftë edhe në aspektin e anës dokumentare të tokave tona, përmes të cilave ne mund të marrim edhe mbështetje nga organizma të ndryshme ndërkombëtar në formën e subvencioneve.


fermeri kukes

fermeri kukes

fermeri kukes

fermeri kukes

fermeri kukes

fermeri kukes
 
Redaksia online
A.N shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?