Periferi

Mesazhi i Tarameles

28 Maj 2019, 11:36| Përditesimi: 28 Maj 2019, 11:44

  • Share

 

Jemi kështu ne shqiptarët. Cilido të dalë në sipërfaqe në një moment, ne të gjithëve, si në një fshat të madh, na kapin emocione të ndryshme: dikush përshëndet e dikush shan. Emocionet në këtë vendin tonë të vogël janë të shumëfishuara; dashuria, por edhe urrejtja kapin maja dhe ekstreme që nuk mund t’i kapin dot në një vend më të madh.

Vogëlushi Xheison Bafti, i bërë i njohur në emisionin “Në kurthin e Peter Pan” mori zemrat e shumë shqiptarëve. Xheison ka lindur kështu: i ëmbël, i dashur, i shpenguar dhe me K që e thotë T tani për tani. Ka lindur në fshatin Myshqeta.  Ja ky “defekt” i vogël në shqiptim e bën atë akoma më të bukur. Në rrjete sociale shumica e duan, nuk mund të jetë ndryshe: Xheisoni dhe historia e tij i bën për vete të gjithë. Shumë kontribuan për shtëpinë e tij, ndërsa disa, me lupën e “ekspertëve” bëjnë të pamundurën për ta prishur këtë festë dhe gëzim: “Ja si shfrytëzohen fëmijët, ja si përfitojnë famë e lavdi…”. Është kollaj të bëhesh moralist apo “heaters” nga kompjuteri i shtëpisë. Është e vështirë të bësh qoftë edhe një hap për të hequr diçka nga e përditshmja jote e për t’ja dhuruar qoftë edhe një njeriu të vetëm, në shtëpi, në lagje, në qytet apo në Shqipëri.

Asnjë prej nesh nuk është perfekt. Dritëhijet, ashtu si nata me ditën, e mira me të keqen janë të ndërthurura tek çdo njeri.  Por është ndryshe dhe del më i fituar ai që hap zemrën e tij dhe në momente të vështira ndihmon një person, një qytet, një vend, pasi e mendon si veten e tij.

Mund të diskutojmë 1000 gjera se si duhet të jetë perfekt një emision për fëmijë, po kush është perfekt e pa mëkat në Shqipëri? Ama një dallim është thelbësor e shumë i rëndësishëm: Nga një anë janë njerëzit që duan të ndërtojnë, përmirësojnë e falin dashuri, e nga ana tjetër ata që duan vetëm të marrin, të shkatërrojnë e të urrejnë me sa kanë fuqi.

Ja, në gjithë këtë ndarje, në gjithë këtë konflikt që mban në tension për vite të tëra një vend të vogël si i yni del një vogëlush, që me pafajësinë e të natyrshmen e tij vjen si një mesazh për të gjithë: Nuk e dini sa shumë ka dhënë Taramelja e vogël. E vërtetë, ai u bë me shtëpi dhe ka qindra fëmijë të tjerë që e ëndërrojnë një të tillë, por ama Taramelja e ka merituar të tërën sepse të gjithëve u ka faluar aq shumë ëmbëlsi e dashuri vetëm me dëshminë e ekzistencës së ëmbël të tij.

Le ta marrim daljen në skenën shqiptare të Tarameles si një mesazh të mirë për të gjithë: Bëhuni më të ëmbël, më fëminorë e të mirë. Askush nuk del në sipërfaqe rastësisht. Taramelja i duhet shumë shqiptarëve dhe vlera e tij është shumë më e madhe se sa një shtëpi. Taramelja na thotë se kemi nevojë për Ëmbëlsi

xy/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Erik: 28/05/2019 13:37

    E vertete gjithcka shkruhet ketu. Nuk eshte vetem ne Shqiperi fenomeni i njerezve toksike qe kerkojne te nxjerrin bishta edhe aty ku gjëja shkelqen si qelibar, sepse keshtu behen diskutimet edhe ne vendet e zhvilluara, por tek ne vret me shume sepse gjerat e mira qe behen jane te pakta, ndersa llumi qe ushqehen perdite njerezit eshte disafish me i madh.

    Përgjigju
  • arben: 28/05/2019 12:13

    Komplimente per shkrimin. Taramelja eshte nje femije i veçante dhe si i tille duhet te kete ne te ardhmen edhe nje arsimim te kualifikuar. Ai femije eshte rritur me nje fryme mbreselenese dashurie dhe aq i vogel di te thoje ne cdo kohe faleminderit. Prej vitesh kemi haarruar fjalet magjike " te lutem, faleminderit , me falni". Keto mesazhe duhet te japin televizionet, gazetat apo portalet pasi ky popull eshte bombarduar jashtezakonisht shume me propogande politike duke e asfiksuar prej 30 vjetesh.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?