Giovanni Pietro Barbano

Mes tensioneve Kosovë- Serbi, ​merr detyrën shefi i ri i EULEX-it

26 Qershor 2023, 12:46| Përditesimi: 26 Qershor 2023, 12:52

  • Share

Mes tensioneve në veri të Kosovës ka marrë detyrën shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Giovanni Pietro Barbano do të jetë drejtuesi i ri i EULEX, gjeneralmajor i karabinierëve italianë me më shumë se 40 vjet përvojë në ligj dhe rend, në aktivitete policore dhe operacione paqeje.

Barbano thotë se misioni do vazhdojë të mbështesë stabilitetin në Kosovë dhe pranon se EULEX operon në një kontekst ende të vështirë, në mes të tensioneve të rritura mes dy palëve.

“Misioni është një mjet i shkëlqyer për përgjigjen më të gjerë të BE-së ndaj sfidave të sigurisë, pasi EULEX-i është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës. Brenda kufijve të mandatit të tij, Misioni do të vazhdojë të mbështesë stabilitetin në Kosovë, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj”, ka thënë ai.

Barbano ka theksuar se do të punojë me integritet dhe profesionalizëm për të siguruar sundimin e ligjit në Kosovë.

“Me një ndjenjë të madhe përgjegjësie i marr sot detyrat e mia si Shef i EULEX-it, një partner strategjik i Kosovës në sundimin e ligjit dhe sigurisë. Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për mandatin jetik të Misionit, unë do të punoj me integritet dhe profesionalizëm për të përmbushur moton e Misionit ‘Partneritet për Drejtësi’, për të ndikuar pozitivisht në terren dhe për të avancuar qëllimet tona të përbashkëta për sundimin e ligjit në Kosovë” ka thënë Barbano.

Ai pason diplomatin suedez, ambasadorin Lars-Gunnar Ëigemark, i cili përfundoi mandatin e tij si Shef i Misionit më 25 qershor.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?