Foto ilustruese

Mes problemeve me furnizimin e nxënësve me libra, nis sot viti i ri shkollor në Kosovë

1 Shtator 2023, 09:08| Përditesimi: 1 Shtator 2023, 09:09

  • Share

Në arsimin parauniversitar të Kosovës sot fillon viti shkollor 2023/24. Ndryshe nga viti i kaluar kur pati grevë, ky vit do të nisë me problemin sa i përket pajisjes me libra për të gjithë nxënësit.

Ministria e Arsimit ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008. Por, këtë vit ky dikaster ka ndryshuar mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore, për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, për faktin se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.

Këtë vit të ri akademik prindërit janë përgjegjës për blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore për fëmijët e tyre, ndërsa mjetet do të subvencionohen nga Ministria e Arsimit, pasi ata të kenë aplikuar në platformën online të Qeverisë E-Kosova.

Platforma E-Kosova, ku prindërit kanë mundur të aplikojnë për subvencionimin e blerjes së librave, është hapur më një javë para nisjes së vitit të ri shkollor.

Ministria e Arsimit ka marrë vendim që të ndajë nga 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën dhe nga 30 euro për ata nga e gjashta deri në të nëntën, pasi këta të fundit i kanë të siguruara librat nga viti i kaluar. Për këtë Qeveria ka ndarë rreth 13 milionë euro.

Ky vendim i ministrisë ka ngjallur reagime të shumta tek prindërit, sindikata e arsimit dhe opozita, të cilët e kanë vlerësuar si paaftësi dhe eksperiment të gabuar.

Ora 16:49
Nisja e vitit të ri shkollor, Kurti: Për të siguruar tekstet shkollore kemi zgjedhur një rrugë të re

 

1691573204_albinkurti.JPG

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar ditën e sotme nxënësit, mësuesit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor.

Kurti tha se për sigurimin e teksteve shkollore kanë nisur një rrugë të re, thekson se për herë të parë po ndajnë mjete shtesë për materiale shkollore të nevojshme për nxënësit.

Ai tha se me punë dhe përkushtim do të realizojnë misionin për një arsim cilësor, që edukon, shkollon dhe përgatit për përmbushjen e ëndërrave, synimeve dhe potencialit të studentëve.

Si përfundim, Presidenti i Kosovës tha se arsimi për këtë vit shkollor po zgjerohet në 12 profile të ndryshme, në 21 shkolla profesionale dhe 13 komuna, duke ndërtuar kështu urën ndërmjet arsimit dhe ekonomisë, diplomës së shkollës dhe vendit të punës.

“Të dashur nxënës, mësimdhënës e prindër, urime fillimin e vitit të ri shkollor.  Në veçanti, uroj të gjithë nxënësit që për herë të parë ulen në bankat shkollore. Për ta sot fillon një rrugëtim i ri, i cili do të përcaktojë të ardhmen e tyre por edhe të shtetit të Kosovës. Për të përmbushur obligimin tonë për të siguruar tekstet shkollore, këtë vit kemi zgjedhur një rrugë të re. Po ashtu, si asnjë vit më parë, përveç teksteve shkollore po ndajmë edhe mjete shtesë për materiale shkollore të nevojshme për nxënësit tanë. Arsimi dual për këtë vit shkollor po zgjerohet në gjithsej 12 profile të ndryshme, në 21 shkolla profesionale dhe 13 komuna, duke ndërtuar kështu urën ndërmjet arsimit dhe ekonomisë, diplomës së shkollës dhe vendit të punës. Ndërkohë që kemi miratuar Ligjin për Edukim në Fëmijërinë e Hershme, kemi finalizuar kurrikulën për edukim në fëmijërinë e hershme dhe jemi duke investuar në rritjen e përfshirjes së fëmijëve në këtë nivel të edukimit. Me punë e përkushtim do të realizojmë misionin tonë për një arsim cilësor, që edukon, shkollon dhe përgatit për përmbushjen e ëndërrave, synimeve dhe potencialit të rinisë sonë. Ju qoftë një vit i mbarë e i suksesshëm”, ka shkruar Kurti.

Ora 11:20
Nisja e vitit të ri shkollor, Osmani uron nxënësit: Kultivoni ndjeshmëri, të menduarit kritik dhe krijimtari

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka uruar të gjithë ata që nisin sot, vitin e ri shkollor 2023-2024.

Presidentja Osmani ka theksuar se beteja për dije nuk përfundon kurrë, ndaj nxënësit duhet të jenë të vëmendshëm për të kuptuar se arsimimi nuk ka të bëjë vetëm me librat, por me ndjeshmërinë, kreativitetin dhe mendimin kritik.

“Me mendje të hapura për dije dhe zemra të mbushura me emocione, nxënësit tanë po e nisin këtë vit të ri shkollor, i cili është një kapitull i ri, një mundësi për të  mësuar diçka të re, për ta sfiduar veten dhe për ta zgjeruar horizontin e dijes. Ndërsa po nisni një vit të ri shkollor, le ta sjellim në vëmendje se arsimimi nuk ka të bëjë vetëm me libra dhe teste, por me kultivimin e ndjeshmërisë, të menduarit kritik dhe kreativitetin.  Beteja për dije nuk përfundon kurrë! Urime 1 shtatori! Sukseset e shënofshin çdo ditë të këtij viti shkollor!", ka theksuar Osmani.

 

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?