Sali Berisha

Mero Baze: Rama, 'aktivisti', 'patronazhisti' dhe... Berisha

2 Tetor 2023, 20:39| Përditesimi: 2 Tetor 2023, 20:43

  • Share

Ka tre faktorë që Sali Berisha i konsideron vendimtarë për fitoret e përhershme të Edi Ramës ndaj tij. 

E para, është fakti që Edi Rama është kryeministër, i dyti “aktivisti” dhe i treti “patronazhisti”.

Për të parin, ka të drejtë. Roli i Edi Ramës si kryeministër është kryesori dhe më i rëndësishmi në fitoren e çdo beteje kundër Sali Berishës. Këtu Berisha ka plotësisht të drejtë dhe duhet t’ia qajmë hallin. 

Socialistët mund të kishin mëshirë të gjenin dikë tjetër, më të mundshëm, më të dobët apo më pak të vendosur të fitojë çdo palë zgjedhje. Por me sa duket dhe ata nuk kanë mëshirë.

Tani kjo gjë nuk është se ka ndonjë perspektivë në të ardhmen. Ata do vazhdojnë të kenë kryeministër Edi Ramën dhe do të vazhdojnë ta kenë atë kalë beteje për të fituar zgjedhjet.

Ndaj Sali Berisha ka të drejtë që e identifikon atë faktor kryesor në humbjen e zgjedhjeve dhe që duhet hequr me protesta dhe luftë, se me vota nuk hiqet.

Arsyen e dytë ka renditur një aplikacion në internet, që quhet “aktivisti”. Nuk e di çfarë roli ka ky aplikacioni, por mendoj që socialistët në këtë pikë duhet të tregohen të mëshirshëm. T’i bëjnë dhe Berishës një aplikacion të ngjashëm dhe t’ia japin ta përdori, se ndoshta u bën punë.

Socialistëve nuk u ka bërë asnjë punë dhe se ka përdorur askush as në zgjedhje, por meqë Berisha mendon se ka rendësi, mund t’ia falin një kopje dhe ta përdorë dhe ai. Fundja pa lekë është në internet.

Arsyen e tretë rendit patronazhistin. Sipas përfytyrimit të Berishës, patronazhisti është një njeri që ndjek dhe përgjon nga pas demokratët e lagjes, dhe i raporton shtabit socialist për kë votojnë demokratët.

Nga gjithë analizat që janë bërë në shumicë, është vërtetuar se patronazhistët raportojnë se demokratët votojnë për Berishën dhe socialistët për Edi Ramën. Ky përfundim shumë i rëndësishëm, nuk është se u ka bërë ndonjë punë të madhe socialistëve, se dihet, por ata dhe këtu mund të tregohen të mëshirshëm. T’ia japin modelin e patronazhistit Berishës dhe të krijojë dhe ai patronazhistët e vet. 

Nuk është se ai nuk i ka patronazhistët e vet, por i përdor kundër Lulit. Tani t’i trajnojë përsëri dhe t’i përdorë kundër Ramës.

Kështu dy nga tre arsyet bien dhe PS mund t’ia falë Berishës këto mekanizmat e “Fitores”. 

Po këtë faktin kryesor që PS e udhëheq Edi Rama dhe opozitën Berisha, këta të PS nuk e ndryshojnë dot. Madje ata nën rrogozë dhe përpiqen që kjo dyshe të përballet me njëra- tjetrën. Madje hileja e tyre kryesore, nuk është as “aktivisti”, as “patronazhisti”, por kryepatronazhisti i demokratëve, Berisha. 

Duke bërë sikur e respektojnë si kryetar opozite, ata u kanë mbushur mendjen demokratëve se me atë fitojnë, dhe në fakt bëjnë qejf. Pra nuk është puna se këta socialistët fitojnë nga “aktivisti” apo “patronazhisti”. Ato ua falin me qejf demokratëve. Ata fitojnë se u kanë “falur” demokratëve Berishën. Derisa ata ta mbajnë atë dhuratë, nuk u bën fajde gjë tjetër.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?