Sali Berisha

Mero Baze: Miti i paprekshmërisë dhe ai i pandëshkueshmërisë, për Berishën 

21 Shtator 2022, 20:54| Përditesimi: 21 Shtator 2022, 21:21

  • Share

Nuk kam ndonjë ide se çfarë mund të bëjë SPAK me Sali Berishën. Nuk dua t’i krijoj vetes pritshmëri, se SPAK do hetojë kapjen e shtetit në një skemë klasike, siç është kjo e privatizimit të klubit Partizani, ku babi kryeministër ka lëshuar vajzën e tij nëpër zyra dhe dhëndrin në arkivë të shtetit, njëri për të shqyer letrat e vërteta e për të paraqitur ato fals, e tjetra për të bërë procedura të shpejta privatizimi dhe për të rritur pjesën e burrit të saj nga 5 për qind aksioner, në 60 për qind përfitues në fund, me arsyetimin që të tjerët i “falin pjesë nga prona”, se ky bën letra me firmën e vjehrrit.

Është e qartë që jemi para një skeme tipike të kapjes së shtetit, e cila ka qenë mes të tjerash dhe një kriter për karrierën e ministrave të Mbrojtjes në atë vend. Gazmend Oketa që u tregua i ngathët e u zëvendësua nga Arben Imami, i cili e meritoi plotësisht rehabilitimin, me shpejtësinë me të cilin ua ktheu.

Por siç e thashë, nuk dua të krijoj ndonjë pritshmëri nga prokuroja e çështjes, që do tregohet roje e interesit publik në këtë pikë. Për më tepër që disa prej bashkëpronarëve të dhëndrit të Sali Berishës, janë ende në konflikte juridike me të, për pjesën që u ka marrë.

Por ajo që tani është ngjarje e sigurtë, është që edhe për Sali Berishën ka një herë të parë përballë drejtësisë. Dhe kjo nuk është pak për drejtësinë e re shqiptare. Boll t’u kujtoj që drejtësia e vjetër nuk guxoi as ta thërriste si dëshmitar për vrasjet e 21 janarit, edhe pse ai mburrej ekraneve se i vrau 3 dhe mund të vriste dhe 3000. Nuk e thirri as kur ngrefosej si gjel se do vriste dhe Edi Ramën me snajper. Nuk e thirri pse fshiu serverin e Kryeministrisë duke prishur provat, dhe as kur kundërshtoi dorëzimin e gardistëve të dyshuar si vrasës për hetim.

Nuk guxuan të thërrasin djalin e tij pas tragjedisë së Gërdecit, edhe pse gjurmët e gjakosura të asaj historie të çonin në shtëpinë e tij. Nuk guxuan ta thërrasin për asnjë ngjarje korruptive dhe kriminale që mban firmën e tij, siç ishte dhe kontrata e vajzës së tij, që i ofronte një biznesmeni të huaj, një koncesion për TEC në Porto Romano, kundrejt 3 për qind ‘fee sucsses”

Sot i ka shkuar fletëthirrja. Kjo është një histori e re. I ka shkuar nga një prokurore e panjohur shumë për publikun, e cila thjesht është duke kryer procedurën e hetimit. Pas 30 vitesh, drejtësia shqiptare ka shkuar nga mos prekja e politikanëve të lartë, tek thirrja e tyre për hetim. Ky është hapi i parë që e provon këtë.

Hapi i dytë vendimtar natyrisht është hetimi për kapje shteti prej tij. Nuk di sa fuqi dhe kohë do ketë prokurorja ta bëjë këtë, por është e sigurt se prej sot miti i paprekshmërisë së Sali Berishës ka rënë. Por bashkë me të duhet të bjerë dhe miti i pandëshkueshmërisë së tij. Ndryshe ftesa për t’u ndëshkuar kthehet në ftesë për t’u pastruar.

D.GJ/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Cubi: 21/09/2022 22:36

    Shpresojm mero sic kemi shpresuar nga 30 vjet. Ne vitet 90 tham me vete se do kemi ndryshime te medha,por me kot. Ne ate kohe ai i*madhi* te tredhte,qoft edhe djalin e tij,kurse gjoja demokraci politika mori ne mbrojtje gjysmen e shqiperis,kurse fukarenjt shkojn ne burg pse leviz nje hu gardhi nga vendi. Megjithate me ne fund mbase do leviz dicka. Na ngelet te shohim si do vazhdoj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?