Albin Kurti

Mero Baze: Gjest urrejtje ndaj Shqipërisë, pse nuk bashkohet me Albinin, kundër perëndimit

19 Shkurt, 09:27| Përditesimi: 19 Shkurt, 09:28

  • Share

Tre udhëheqësit kryesorë të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, kanë injoruar zyrtarisht kontributin e Shqipërisë për Kosovën së paku prej vitit 1990 e deri në shpalljen e pavarësisë më 2008. 

Në mbrëmjen zyrtare për nder të ditës së Pavarësisë, në të cilën ishte prezent dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, përveçse u përmend prania e tij,  për 2 minuta u falënderuan gjithë shtetet mike dhe personalitetet që ndihmuan pavarësinë e Kosovës, por Shqipëria nuk u përmend. 

Nuk do t'ia vlente të merreshim me këtë çështje, nëse ajo do të ishte një harresë e një prej udhëheqësve, apo ndonjë banalitet protokolli, por duket që është qëndrim i vetëdijshëm politik i Prishtinës zyrtare, nën frymën e politikës antiperëndimore të Albin Kurtit. 

Nuk dua të rendis tani gjithë kontributin e Shqipërisë, prej vitit 1990 për Kosovën, pasi ajo është mbi të gjitha një kujtesë shtetërore e mbetur në letra dhe dokumente. 

Prej vitit 1991, kur Shqipëria u bë një vend demokratik, diplomacia e shtetit shqiptar ka pasur vetëm një mision dhe ajo ka qenë çështja e Kosovës. Diplomatët e rinj shqiptarë të Ministrisë së Jashtme, janë heronjtë e parë të ndërkombtarizimit të çështjes së Kosovës.  
Rruga e tyre e mundimshme, për të futur Kosovën në çdo konferencë ndërkombëtare organizuar që nga KSBE, Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian, e më pas në Konferencat ndërkombëtare si ajo e Londrës dhe Oslos më 1992 e me radhë në vite, janë një histori krenare e shtetit shqiptar. 

Prej vitit 1992, çdo ambasador i Shqipërisë në perëndim por dhe kudo në botë, ka pasur detyrë të vetme dhe prioritare çështjen e Kosovës. Çdo ministër i Jashtëm i Shqipërisë, i djathtë apo i majtë, ka pasur axhendë kryesore çështjen e Kosovës. 

Deri në vitin 1995, kur Shqipëria ishte një vend i mbështetur fort nga SHBA dhe Komuniteti Evropian, politika e jashtme e Shqipërisë, ishte thjesht një shërbim në çështje të Kosovës. 

Kur Shqipëria ftohu raportet diplomatike me SHBA pas vitit 1995, për shkak të devijimeve demokratike në Shqipëri, që u pasuan nga zgjedhjet e shkatërruara të vitit 1996 dhe trazirat e vitit 1997, shteti shqiptar nuk ishte shumë kredibël që të mbronte çështjen e Kosovës, por diplomatët shqiptarë vazhduan punë njësoj sikur të ishin diplomatë të Kosovës. 

Deri në atë kohë, Ibrahim Rugova ishte bërë një personalitet i njohur ndërkombëtarisht, edhe falë mbështetjes së Shqipërisë, dhe në periudhën që Shqipëria e drejtuar nga Sali Berisha, ishte në krizë me faktorin perëndimor në periudhën 1995 1997, Ibrahim Rugova ishte udhëheqësi politik shqiptar më i mbështetur nga Perëndimi. 

Edhe pas vitit 1997, qeveria shqiptare e mbështetur nga perëndimi pas largimit të Berishës përmes trazirave kombëtare, u bë sërish një interlokutore e çështjes së Kosovës, dhe u përfshi pak nga pak në gjithë problematikën që shoqëronte Kosovën deri në çlirimin e saj më 1999. 

Qeveria shqiptare luajti një rol kyç në krizën e refugjatëve të vitit 1998-1999, dhe Shqipëria u kthye në një territor lufte për ndihmën logjistike gjatë bombardimeve të Serbisë nga aleatët e NATO. 

Asnjë vend tjetër në botë, përjashto SHBA për shkak të qartësisë dhe fuqisë së saj diplomatike, nuk ka më shumë merita se Shqipëria, në ndërkombtarizmin e çështjes së Kosovës, dhe mbështetjen finale të luftës së saj për liri. 

Këtu nuk po flas për individë që u angazhuan dhe fizikisht dhe dhanë jetën për Kosovën, por po flas për shtetin shqiptar dhe politikën e Shqipërisë zyrtare, qofshin qeveri të majta apo të djathta. 

Qënia e Shqipërisë në anën e Perëndimit, dhe zgjidhja e çështjes së Kosovës si një çështje të drejtash njerëzore, bazuar në parimet perëndimore të lirisë, kanë qenë faktorë kryesor startegjik në arritjen e lirisë së Kosovës.  
Shqipëria do të ishte e padobishme për Kosovën nëse do të ishte një shtet i izoluar komunist apo një diktaturë lindore si ato që erdhën pas vitit 1990 në shumë ish- republika sovjetike. 

Shqipëria e ndihmoi Kosovën jo vetëm për shkak të te qenit vëllezër të një gjaku, por mbi të gjitha për shkak të të qenit të dyja në anën e Perëndimit. 

Gjesti zemërak i shëmtuar i tre udhëheqësve kryesor e të Kosovës, të cilët injorojnë kontributin e Shqipërisë në falënderimet e tyre zyrtare, nuk buron nga fakti se ata janë antishqiptarë, as se e urrejnë popullin shqiptar. 

Është edhe më keq.  

Ata urrejnë momentin politik të Shqipërisë në raport me Kosovën. Urrejnë faktin që ata janë në betejë me perëndimin për pushtetin e tyre kundër interesit të Kosovës, ndërsa Shqipëria është duke bërë rolin e saj si shtet amë në krah të Perëndimit për të mirë të Kosovës.  
Albin Kurti dhe kukullat e tij, janë të zemëruar me Shqipërinë, pse ajo është në anën e SHBA dhe Perëndimit dhe pse nuk është në anën e tyre për interesa elektorale.  

Të qenurit me perëndimin, ka qenë e vetmja mençuri gjeniale e Ibrahim Rugovës që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, dhe aleanca e UÇK me NATO ka qenë e vetmja mundësi për të thyer ushtrinë jugosllave kundër Kosovës. 

Çdo kush që e braktis këtë rrugë, nuk braktis Shqipërinë, por braktis dhe rrezikon Kosovën. Udhëheqja politike e Kosovës i ka rënë në pjesë Kosovës, dhe ajo mund të vuajë përkohësisht problemet që vijnë prej tyre.  

Por Kosova do jetojë më shumë se ata.  

Shqipëria po se po.  

I vetmi rrezik për të dy vendet, është të bashkohen kundër Perëndimit, për interesa të Albinit. Ajo është e vetmja mënyrë të vrasim “të bashkuar", Kosovën dhe të bëjmë një Shqipëri të keqe. Ashtu siç e ëndërrojnë ata që janë zëmëruar pse nuk bashkohemi me Albinin kundër Perendimit. 

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Atdhetari: 19/02/2024 09:54

    Perendimi te gjithe vendet e lindjes qe jane futur ne BE i ka katandisur me keq se cfare ishin ne kohen e komunizmit dhe nuk shikoj asnje te jete zhvilluar por vetem jane bere skllever te vendeve te zhvilluara si Gjermania dhe Franca . Prb eshte se per te krijuar nje shtet te forte ekonomikisht dhe politikisht duhet te rubet me cdo kusht pavaresia e vendit dhe mos lejimi i nderhyrjes ne politiken e brendahme ngea vendet e thera sepse automatikisht vendi kthehet ne koloni te atyre , por per te ber nje gje te tille duhen politikane me kellqe dhe jo hajduta dhe sahanlepires si keta qe na drejtojne ne

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?