Ish kryeministri, Sali Berisha

Mero Baze: Drejtësia po mban gjallë frontin e Berishës kundër Perëndimit në Shqipëri  

29 Dhjetor 2022, 19:37| Përditesimi: 29 Dhjetor 2022, 19:39

  • Share

Viti që lamë pas është  përpjekja e parë institucionale për krijimin e një fronti antiperëndimor në Shqipëri, në emër të opozitës shqiptare prej Sali Berishës ndihmuar nga partneri i tij Ilir Meta.

Në daljen e tij publike sot në fund të vitit Sali Berisha akuzoi diplomatët amerikanë dhe ata britanikë si diplomatë të korruptuar, të cilët sipas tij janë korruptuar nga qeveria shqiptare për të sanksionuar Sali Berishën. Madje në stilin e tij 30 vjeçar si shantazhues ai foli dhe për “dosje” që ai zotëron për të provuar këto fakte.

Po përse nuk ka perspektivë fronti antiperëndimor i Berishës në Shqipëri?

E para dhe e fundit arsye, për krijimin e këtij fronti, është Sali Berisha dhe problemet e tij personale me Perëndimin. Partia Demokratike nuk ka probleme me Perëndimin pasi është partia e parë properëndimore e Shqipërisë. Ajo është ngjizur si parti e njerëzve që kanë pritur ardhjen e Perëndimit në Shqipëri dhe të vetmin konflikt me Perëndimin po ua imponon Sali Berisha si hall të familjes së vet.

Natyrisht ka plot trushpëlarë që besojnë teoritë konspirative të Sali Berishës brenda tyre, por dhe vet Sali Berisha nuk ka mundur dot të ndërtoj një teori konspirative më të gjerë se sa halli i vet familjar. Ai as është munduar të thotë fjala vjen që SHBA apo Britani e Madhe dhe ambasadorët e Perëndimit urrejnë Partinë Demokratike. E ka përqendruar gjithë betejën e tyre tek vetja e vet. Dhe kjo është e vërtet.

Perëndimi e ka me Sali Berishën E ka dënuar atë si një politikan që duhet izoluar dhe gjykuar për korrupsion. E ka konsideruar minues të demokracisë në Shqipëri dhe të lidhur me qarqe kriminale në Shqipëri dhe më gjerë në rajon. Ndaj përpjekja për të ngritur një front kundër Perëndimit nga Sali Berisha përfundon me ikjen e Sali Berishës në shtëpi apo në bankën e drejtësisë.

Bashkë me të ikin dhe arsyet përse opozita duhet të jetë antiperëndimore. 

Drejtësia shqiptare nuk ka vepruar dhe ka gjasa që ende të hezitoj të veprojë ndaj Sali Berishës. Është e qartë që gjyqtarë dhe prokurë shqiptarë janë të kompleksuar nga shantazhet e tij dhe gjuha agresive. Ata ndeshen përditë me fakte publike, me shantazhe të tij ndaj drejtësisë apo diplomatëve ndërkombëtarë dhe nuk reagojnë. Do të mjaftonte fjala vjen deklarata e sotme ku ai thoshte se “kam dosje korrupsioni për ambasadorin britanik dhe kryeministrin Rama” që SPAK të niste procedim penal për këtë aferë dhe të çonte para drejtësisë ose shpikësin e dosjes ose personazhet e dosjes.

Por nuk e bëjnë. Nuk bëjnë dot asnjë gjyq për bashkëpunëtorë të tij. Mënyra si ai ka konsoliduar pandëshkueshmërinë për 30 vite, vazhdon të mbijetojë edhe me ndryshimet e reja brenda sistemit të drejtësisë. 

SHBA dhe Britania e Madhe kanë bërë thirrje për hetimin e tij bazuar në faktet që ekzistojnë dhe janë publike dhe në Shqipëri por kjo nuk ka ndodhur. Madje ka dhe deklarata shfajësuese dhe lojëra procedurale për ta shpëtuar nga hetimi.

Mosveprim i drejtësisë është i vetmi mekanizëm që mban në këmbë frontin antiperëndimor në Shqipëri. Ky është një ë front pa baza politike, pa mbështetje popullore dhe mbi të gjitha pa një shtrat historik. Ky front i dedikohet vetëm një njeriu Sali Berishës dhe bashkëpunëtorit të tij Ilir Meta dhe kjo ngrehinë shkrehet me ikjen e tij. Pa veprimin e drejtësisë, ai mund të mbijetoj dhe disa kohë fizikisht, derisa të rrënohet politikisht dhe të deligjitimohet nga pikëpamja elektorale.

Por kjo është një rrugë me kosto më të lartë sidomos me dobësim të opozitës. Sali Berisha realisht më shumë se armik i perëndimit është armik i opozitës shqiptare dhe varrmihës i saj. Betejën kundër Perëndimit ai po e përdor për të përdhunuar opozitën shqiptare dhe për ta vënë në resht për interesa të tij. Me ikjen e tij bie dhe fronti antiperëndimor në Shqipëri dhe mbyllet dhe përçarja e opozitës. 

Në fund do të humbas dhe betejën me perëndimin dhe betejën me opozitën por bilanci do të jetë i hidhur për opozitën, nëse drejtësia nuk bën detyrën e saj, për të ndarë spekulimin nga e vërteta e hidhur e një njeriu që ka vrarë , ka vjedhur dhe ka minuar demokracinë vetëm për interes të tij dhe familjes së tij.

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shkelzen: 29/12/2022 22:00

    PO drejtesia e intimiduar nga sali berisha eshte problemi me i madh ne shqiperi per kohen qe jetojme.Na zhgenjeu totalisht.Pa besim te popullit tek drejtesia ky vend nuk ka per tu bere kurre ashtu sic e deshirojme ne

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?