Sali Berisha

Mero Baze: Berisha nuk do të humbasë monopolin e ‘pazareve’

27 Shkurt, 22:16| Përditesimi: 27 Shkurt, 22:23

  • Share

Ndërsa debati rreth amnistisë duket se po futet në shtratin e duhur, Foltorja e Berishës po përpiqet të kompleksojë Partinë Demokratike duke e quajtur bashkëpunëtore të qeverisë. E bën këtë sa herë që dështon vet të bëjë pazare.

Dhe dy raste janë fare të qarta, ky i amnistisë dhe i reformës elektorale.

Tek dështimi i amnistisë javën e kaluar faktor vendimtar ka qenë pikërisht pazari i Foltores” së Berishës me socialistët, të cilët i garantuan në rrugë informale se do t’i jepnin vota për amnistinë përmes një amendamenti “privat” të një deputeti të Berishës, ndërkohë që votimi do shitej si pazar i Partisë Demokratike.

Dhe Partia Demokratike kishte të drejtën e saj të plotë të tërhiqej nga votat pikërisht për të denoncuar pazarin e Berishës me shumicën në pushtet.

Pra i vetmi pazar që ka ekzistuar për amnistinë, ka qenë ai me Berishën. Oferta e PD zyrtare ka qenë publike, edhe me kufizimet e saj.

E njëjta sjellje është dhe me Komisionin e reformës elektorale. Parlamenti ndjek procedurat ligjore të përfaqësimit të grupeve dhe jo mitingjet, për të vendosur kush përfaqëson kë në Kuvend.

Dhe sot Partia Demokratike është formalisht partia opozitare që përfaqësohet në Komision nga Enkelejd Alibeaj. Beteja që bashkëkryetar të jetë Oerd Bylykbashi është politikisht legjitime, por partia e Berishës duhet të bëhet parti me letra. Ata mund të kishin regjistruar grupin e tyre parlamentar, të kishin përfaqësuesin e tyre dhe të ishin në Komision.

Ata nuk duan të jenë parti me letra. Duan të jenë lëvizje rruge për të mbrojtur Berishën dhe kjo është zgjedhje e tyre. Ata në të vërtetë ja kanë deleguar fuqinë e partisë së tyre, Ilir Metës.

Dhe meqë ata nuk plotësojnë kushtet, përpiqen të akuzojnë PD se po bashkëpunon me qeverinë për reformën elektorale. Pra po të jetë Bylykbashi nuk quhet bashkëpunim, por normalitet, po të jetë Alibeaj quhet bashkëpunim. 

Me këto mend që kanë, pas dy vitesh në Komision të reformë elektorale bashkëkryetar do jetë Agim Nesho, pasi partia e Ilir Metës do të dalë formalisht partia më e madhe opozitare. Prandaj është mirë të nxitojnë të bëjnë partinë e tyre dhe të përfaqësohen aty ku u takon.

Fakti që dështojnë vet në pazare me shumicën dhe pastaj përpiqen të akuzojnë për bashkëpunëtorë të qeverisë, ata të cilëve duan t’u zënë vendin në krah të Gjiknurit, është banalitet.

Ky banalitet funksion deri diku ngaqë PD është ende një parti e kompleksuar nga akuzat e Berishës. 

Sa më shpejt ta vrasin atë kompleks, aq më të padobishme do t’i bëjnë këto kauzat banale të Berishës, i cili nga ana e vet është pazarxhiu më i madh i 33 viteve pluralizëm me gjithë armiqtë e tij, edhe me ata që ka burgosur dhe rrahur.

Madje gjithë shkollën e tij politike ai e ka të mbështetur mbi pazare dhe shantazhe dhe jo mbi raporte institucionale. Kjo çfarë ai po bën prej dy vitesh si armik i Perëndimit është thjesht një shantazh banal për pazar. 

Me mendjen e tij mendon se do vijë dita që dikush t’i japë një pazar, që ai të zbresë nga penxherja. Ndaj është i shqetësuar që të shumica apo Perëndimi, të mos flasin më askënd tjetër, po vetëm me atë. 

Por këtë radhë është e qartë që nuk do ti eci, as shantazhi, as pazari. Skenari më i mirë është ta mbyllë aty majë penxheres, se ka dhe më keq. TemA

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?