Media greke: Athina po bllokon paktin e mbrojtjes BE-Tiranë, zgjedh Shkupin! Italia krah Shqipërisë e kundërshton

18 Janar, 11:54| Përditesimi: 18 Janar, 19:48

  • Share

Athina po bllokon një Marrëveshjeje të Mbrojtjes së Sigurisë mes BE-së e Shqipërisë, për shkak të qëndrimi të qeverisë shqiptare për sa i përket burgosjes së kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri, shkruan Ekathimerini sot 18 janar 2024.

BE-ja është në proces të përshpejtimit të procedurave për nënshkrimin e marrëveshjeve me vendet e treta jashtë Bashkimit, me synimin për një bashkëpunim më të mirë në mbrojtje.

Pak ditë më parë u mbajt në Bruksel një takim në nivel teknik, qëllimi kryesor i të cilit ishte lidhja e një sërë marrëveshjesh të mbrojtjes dhe sigurisë me vendet brenda dhe jashtë Evropës, përkatësisht Kanadanë, Japoninë, Ganën, Moldavinë, Norvegjinë dhe Korenë e Jugut.

Greqia kundërshtoi kur ishte çështja e Shqipërisë, duke këmbëngulur se si  vend që dëshiron të anëtarësohet në BE, duhet të jetë në përputhje me rregullat e ligjet evropiane.

Në këtë sfond, grekët propozuan Maqedoninë e Veriut si vendin më të përshtatshëm për të lidhur një marrëveshje të mbrojtjes dhe sigurisë me BE-në, pasi ajo ka treguar një paraqitje më të mirë në fushën e sundimit të ligjit, ndërsa standardizimi i forcave të armatosura të vendit në fjalë ka ecur me ritëm jashtëzakonisht të shpejtë.

Propozimi grek nuk u pranua, por as çështja e Shqipërisë nuk eci përpara, pavarësisht mbështetjes shumë të fortë nga italianët, të cilët janë edhe partneri më i afërt i Tiranës në BE.

Lidhur me çështjen Beleri, autoritetet greke janë duke pritur për të parë deri më 25 janar, kur pritet të rinisë gjyqi i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.

Në prapaskenë, megjithatë, kontaktet vazhdojnë, gjithmonë me kusht që Beleri të betohet në detyrë.

Beleri u arrestua në maj të vitit të shkuar me akuza për blerje votash në prag të zgjedhjeve lokale, të cilat i fitoi. 

Shkrimi nga Vassilis Nedos

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?