Me titullin në xhep, por Tirana s'e fal Vllazninë! Përfiton Partizani për Kupat e Europës, Dinamo matematikisht në Kategorinë e Parë

14 Maj 2022, 19:17| Përditesimi: 14 Maj 2022, 20:56

  • Share

Fitimi i titullit nuk e ka ulur marshin e Tiranës. Kampionët e saposhpallur s’e kanë kursyer Vllazninë në derbin e Shqipërisë, duke e mposhtur 3-1 edhe pse shkodranët luftojnë për një vend në Kupat e Europës. Në ‘Selman Stërmasi’ autorët e golave për bardheblutë ishin Seferi, Totre dhe Xhixha, ndërsa miqtë e gjetën rrugën e rrjetës me autogolin e Zhivanaj.

Sakaq nga ky rezultat ka përfituar Partizani, që falë fitores minimale 0-1 kundër Egnatias, ka blinduar vendin e tretë për momentin. Goli i Rrapajt në fundin e pjesës së parë i ka çuar të kuqtë në kuotën e 52 pikëve, 3 më shumë se Kukësi, por Partizani ka avantazhin e ndeshjeve direkte.

Sa u përket verilindorëve të Longos bënë detyrën kundër Dinamos, duke fituar 2-1 me përmbysje në ‘Kukës Arena’. Ky rezultat zbret matematikisht nëndetësen në Kategorinë e Parë.

Në javën e 34 të Superligës, që u luajt e gjitha të shtunën në orën 17:15 Teuta mori një fitore minimale 0-1 kundër Kastriotit, me krutanët që morën humbjen e tretë radhazi, por që nuk iu kushton pasi prej kohësh kanë siguruar qëndrimin në Superligë. Sfida tjetër mes Skënderbeut dhe Laçit është fituar 1-2 nga kurbinasit.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A do e bëjë më efikase luftën ndaj korrupsionit Komisioni i Posaçëm?