'Më tha do të marr shtëpinë...' çfarë deklaroi në sallën e gjyqit vrasësi i gruas në Durrës: Mora thikën dhe e godita

6 Shkurt 2020, 14:53| Përditesimi: 6 Shkurt 2020, 14:55

  • Share

1580997319_durress.jpg
Detaje tronditëse janë zbardhur nga vrasja e 33-vjeçares, Manjola Cuku në Xhafzotaj  të Durrësit.  Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për autorin Lulzim Cukun, nën akuzën “Vrasje për rrethana familjare”.

45-vjeçari Cuku vrau me thikë disa ditë më parë gruan e tij ku në një dhomë ngjitur me të ishin edhe 3 fëmijët e vegjël .

Asnjë nga familjarët nuk ishte i pranishëm në sallë. Prokurorja gjatë pretencës së lexuar në sallën e gjyqit tha detaje rrëqethëse.

"Ditën e krimit të rëndë, në katin e dytë dëgjoheshin të qarat e fëmijëve. Pranë trupit gjendeshin tre fëmijët të mbuluar në gjak. Gjurmët e gjakut të çonin tek tualeti, atje ku dhe policia gjeti gruan dhe tre fëmijët të mbuluar nga gjaku." bëhet e ditur nga prokurorja.

“Vajza gjeti nënën të mbytur në gjak. E tërhoqi nga banja deri te dera. Vajza i ka thënë Prokurorisë se babi e rrihte mamin” shtoi më pas prokurorja e çështjes.

Ndërkohë nga kafazi i hekurt, Lulzim Cuku ka thënë se kishte 13 vjet martesë me Manjolën, një martesë e bërë me lajmësi. Ndërsa sipas tij, 3 muajt e fundit kishin mosmarrëveshje.

“Më tha do të të marr treçerekun e shtëpisë. Ajo nxehej shumë dhe nxehej shpejt. Thyente gjërat në shtëpi. Kam bërë maksimumin për gruan... Më 19 janar Manjola ka marrë urdhër mbrojtje. Por unë nuk e kam zbatuar urdhrin e gjykatës. Më 1 shkurt kemi qenë në dhomën e gjumit, rreth orës 22:00 isha në shtëpi. Më tha duhet të dalësh jashtë, por unë nuk dola. Fëmijët ishin në gjumë. Mora thikën dhe e kam goditur” tha në Cuku para trupës gjykuese.

I pyetur në sallë se përse e vrau? Pse e mbylli derën e banjës me çelës? Cuku u përgjigj: “Kisha frikë se e shihnin fëmijët, prandaj e mbylla derën e banjës. Mora në qafë veten time dhe mora edhe atë më qafë. Kam qenë i mallkuar nga Zoti që bëra këtë” mësohet të ketë thënë ai më pas.

Në fund, Prokuroria kërkoi masën e sigurisë arrest me burg, dhe Gjykata vendosi që Cuku do qëndrojë në burg nën akuzën “Vrasje për rrethana familjare”.


Lajmi kryesor:

Durrës/ Vrau gruan me thikë për xhelozi, lihet në burg 45-vjeçari! Dëshmia: Vjehrri më tha se banesa ishte kthyer në vend të droguarish... (VIDEO)


  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?