Kronikë

Me makinën në ecje, i riu hipën e kërcen mbi të! Shoqërohet në Polici pas videos në TikTok: Rruga ishte bosh, po imitoja Don Johnson te seriali ‘Miami Vice’

19 Korrik 2021, 12:14| Përditesimi: 19 Korrik 2021, 11:23

  • Share

TIRANË- Videoja në TikTok, ku me mjetin në ecje, hipën e kërcen mbi makinë, 34-vjeçari nga Tepelena u bë i famshëm në rrjetet sociale, por ky veprim i kushtoi jo pak. Ai është shoqëruar në Polici, është gjobitur me 60 mijë lekë, i është bllokuar makina dhe i është hequr leja e qarkullimit. Këto masa janë marrë pasi ai akuzohet për “veprime të rrezikshme për sigurinë e jetës në rrugë, gjatë drejtimit të mjetit”.

Mirëpo, i riu në polici ka deklaruar se në rrugën ku kishte bërë videon, në fshatin Dragot në ato momente nuk ka pasur makina të tjera që mund të rrezikonte jetën e shoferëve të tjerë. Ai tha se ka qenë duke imituar personazhin e  filmave Hollywood-ian, Don Johnson tek seriali Miami Vice i viteve '80.

“Gjithçka e kam kryer në një moment ku rruga ishte tërësisht bosh dhe nuk kishte asnjë lloj qarkullimi, kam dashur që të imitoja një personazh filmi Hollywood-ian, Don Johnson te seriali Miami Vice i viteve '80”, mësohet të ketë thënë në polici i riu. 

Policia ka apeluar për respektim të rregullave të qarkullimit rrugor si edhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo anormali, duke siguruar anonimat të plotë.

“Policia Rrugore apelon për respektim të rregullave të qarkullimit rrugor, për përgjegjshmëri e përgjegjësi për sigurinë e jetës gjatë drejtimit të automjetit, pasi cilido që do shkelë rregullat e qarkullimit apo do kryejë manovra të rrezikshme në rrugë, që cenojnë rëndë sigurinë rrugore do përballet me Policinë Rrugore, në zbatim të plotë të Kodit Rrugor.  Policia Rrugore falënderon qytetarët dhe median, për denoncimet e adresuara për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton cilindo që do rregullin e ligjin të denoncojë pa hezitim çdo paligjshmëri, duke i garantuar anonim të plotë, reagim të menjëhershëm e të paanshëm”, njofton Policia.

 

VIDEO virale

 

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?