Fotografia e vitit 2024

Me imazhin prekës nga lufta në Gaza, fotografi i Reuters shpallet fitues i çmimit “World Press Photo of the Year” për vitin 2024

18 Prill, 19:37| Përditesimi: 18 Prill, 22:29

  • Share

Lufta në Rripin e Gazës është pasqyruar në mënyrë periodike nëpërmjet lajmeve dhe imazheve nga agjencitë mediatike në mbarë botën, ku një ndër më aktivet ka qenë edhe “Reuters”.

Së fundmi, në një ceremoni të mbajtur në Amsterdam, fotografi “veteran” i Reuters, Mohammed Salem, u shpall fitues i çmimit të lartë “World Press Photo of the Year” për vitin 2024.

Imazhi i tij, i cili tregon një grua duke qarë mbi trupin e mbesës së saj të vrarë në Gaza, u zgjodh për fuqinë e tij emocionale dhe për të ndërgjegjësuar botën për pasojat e luftës.

Fotografia, e realizuar në një spital në Gazën jugore, ka bërë jehonë ndërkombëtare për paraqitjen e saj të dhimbshme të humbjes dhe dhimbjes njerëzore.

Redaktori Global i Reuters për Foto dhe Video, duke folur në ceremoni, theksoi rëndësinë e punës së fotografëve në zonat e konfliktit dhe sakrificat që ata bëjnë për të sjellë lajmet në botë. Ndërsa Fondacioni Ëorld Press Photo vlerësoi rreziqet që gazetarët përballen në mbulimin e konflikteve, duke përmendur numrin tragjik të gazetarëve që kanë humbur jetën në detyrë.

Ky çmim vjen si një nderim për të gjithë ata që kanë përjetuar dhe raportuar nga fronti i luftës, duke përfshirë edhe fotografin fitues, i cili ka qenë dëshmitar i shumë ngjarjeve të rënda gjatë karrierës së tij.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?