Me Buron Sadik Kacelin, dy thesare arti në një studio!

19 Maj 2022, 22:47| Përditesimi: 20 Maj 2022, 08:30

  • Share

I tërhequr larg ngarkesave politike të kohës së komunizmit, por kurrë nga arti, Sadik Kaceli punoi në studion e tij, në studion “Kaceli”, ku ende frymon një koleksion i pasur, që ndjell pareshtur kureshtjen e vizitorit

Janë veprat që flasin aty, dhe një trashëgimtar i denjë i gjakut dhe i artit, Buron Kaceli, i biri, që ruan këto thesare të artit shqiptar dhe punon pa e ndalur penelin….

Një penel i ngjyer në dritën e shpirtit dhe të talentit. ..

Ndërsa bota dhe vendi ynë, gjithashtu, përjetoi rreth tre vjet të luftës me pandeminë Covid -19, piktorët veçanërisht përpiqeshin ta luftonin karantinën me art.

“Ishte një kohë e vështirë. Në atë kohë unë u mbylla në studio dhe vizatova atë nudon e errët” –ndër të tjera piktori rrëfen historinë e njërës prej veprave me të bukura.

Që nga epoka e Leonardo Da Vincit në art, nudot vijojnë të mbeten një nga sfidat e pikturës.

Aty jo rrallë testohet edhe mjeshtëria e artistit.  At e bir janë kaq të veçantë në këtë gjini të pikturës

Buron Kaceli që në fëmijëri ka pasur fatin të dëgjoj në shtëpinë e tij biseda speciale. Vinin personalitete të mëdha të kulturës shqiptare, si Lasgush Poradeci, Ali Asllani, Pashko Gjeçi-përkthyesi i i Dante Aligierit e të të tjerë për të biseduar me mikun e artit Sadik Kacelin që sillte kumte nga kryeqytei i artit botëror, ku qe edukuar,  Parisi . 

“Unë isha student dhee kisha nisur ne studio një autoportret të cilin s’e kisha përfunduar. Dhe një ditë, siç po hyja në shtëpi drejt e nga plazhi, i mbushur me rërë, dëgjoj nënën të më thotë: -Shko, shko në studio takoje pak babën se do të thotë diçka.

Dhe shkoj unë e baba më tregon sesi ishte shprehur Lasgushi për autoportretin tim. Më tha: -Buron më ke lënë pa fjalë, më ke prishur gjithë bisedën me Lasgushin sot...Dhe më tregoi se Lasgushi kishte shprehur fjalë mjaft të mira për pikturën time. Atëherë nuk po e vazhdoj i thashë tim eti. Dhe baba ashtu më tha: -Aty lëre, derisa kështu ta ka vlersuar Lasgushi.”, rrëfen Buron Kaceli.

Sadik e Buron Kaceli, dy piktorë at e bir, janë gur shënjues në historinë e artit shqiptar; njëri i takon brezit të parë të artit modern shqiptar, e tjetri brezit të dytë.

Shëtisim në studion Kaceli për të kujtuar fillesat e artit modern pamor shqiptar, sidomos vitet tridhjetë, kur Kaceli i Vjetri studionte në shkollën e vizatimit të Tiranës nën drejtimin e pedagogëve Mario Ridola, Andrea Kushi e me pas edhe Abdurrahim Buza.

“Im at i takon brezit të parë të artit modern shqiptar. Me hapjen e shkollës së vizatimit në Tiranë u krijua një periudhë e re e artit shqiptar, ku u krijua një brez artistësh qe më vonë ata do të hapnin Liceun e parë artistik, Liceun Artistik “Jordan Misja”. Ishte nga të parët artistë që nisën të vinin themelet e zhvillimit të artit modern pamor shqiptar. “, thotë Buron Kaceli.

Sadik Kaceli shkoi për të studiuar në Paris në  Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura (Ecole National Supperieurs des Beaux-Arts). I pëfundoi me medalje ari.

“Pedagogu kryesor i tij në vitet e akademisë ishte Fernand Sabatte., personalitet i pikturës dhe bashkënxënës e mik me artistet e mëdhenj Henri Matisse dhe Zhorzh Ruo.

"Ai pati fat të kishte pas ne formimin e tij si artist por edhe si pedagog i artit profesorë me kulturë të gjere nga dy drejtime, nga zhvillimet ne artin italian dhe nga zhvillimet e artit në France. Ne Shkollën e Vizatimit ne Tirane mjeshtrin Mario Ridola qe vinte si nxënës i artistit te shquar italian Vincenso Iroli , dhe në akademine e Parisit pedagogun e shquar francez, piktorin Fernard Sabate bashkënxënës me Henri Matis dhe Zhorzh Ruo, të artistit të shquar, dhe pedagogut te madh Gustav Moro. Po ashtu ai ndiqte leksione edhe në atelienë e afreskut të profesorit të madh Dycos De L’Halle.“, thotë Kaceli.

Studioja e Buron Kacelit, piktorit të njohur shqiptar, është e ndarë në dy kohë, në dy botë. Aty janë gjurmët e Sadik Kacelit, që i kushtoi artit mbi 70 vite të jetës,  , "Piktor i Popullit" dhe "Nderi i Kombit". Ishte pjesë e asaj plejade që konsoliduan artin modern shqiptar.

“Në Galerinë Kombëtare te Arteve ruhet portreti i "Myzeqarit" qe mbetet një nga veprat me te rëndësishme te asaj periudhe e që kritika e huaj e ka cilësuar si " Rembrandi Shqiptar" . Një pjesë të mirë te krijimtarisë së asaj periudhe e ruajmë në koleksionin e familjes, vepra që nisin që nga vizatimet e tij që fëmijë”, thotë Buron Kaceli.

Bota tjetër është ajo e Buron Kacelit, që kritikët e artit e përcaktojnë si një individualitet të spikatur. .

“Im atë ishte një burrë shumë i kulturuar, dhe unë vetëm duke lexuar nënvizimet e tij nëpër librat e bibliotekës se tij kam kuptuar se më ka ndihmuar shumë. Nuk i kritikonte kurrë nxënësit por duke vlerësuar cilsite e mira te veçanta te gjithsecilit i orientonte me këshilla dhe shembuj. Edhe mua më inkurajonte e përpiqej që të ruaja individualitetin tim. Pikërisht kultura e madhe e tij dhe vlerësimi individualitetit të nxënësit bëri që të ruaja vlerën individuale. Natyrisht unë nuk mund të shpëtoja nga ndikimet, sepse im at ishte një piktor i madh, por më vjen mirë që kritika sot më thotë se kam një individualitet në artin tim.”-thotë Buron Kaceli.

Dy krijues në një studio, dy kolana veprash, dy thesare të artit shqiptar. Kolana e Sadik Kalcelit sa vjen rivlerësohet, e Buron Kacelit sa vjen e bëhet më madhështore…

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?