Kronikë

Me 15 korrik inaugurohet bypass-i i Vlorës, Balluku: Po e hapim për të lehtësuar trafikun, jo për të bërë gara! Do ketë shumë policë rrugorë, shoferët të bëjnë kujdes

28 Qershor 2021, 19:37| Përditesimi: 28 Qershor 2021, 20:08

  • Share

VLORË- Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka bërë me dije se në 15 korrik do të hapet bypass-i i Vlorës, duke e cilësuar si një datë të panegociueshme. Gjatë inspektimeve, Balluku tha se kjo rrugë do të lehtësojë trafikun për të gjithë pushuesit që do të shkojnë drejt jugut. Nisur nga aksidentet e shumta rrugore, Balluku tha se në këtë rrugë do të ketë përqendrim të madh të Policisë Rrugore, për të mos lejuar atë që ndodh në të shumtën e rasteve kur hapen rrugë të reja, që shoferët ecin me shpejtësi shumë të madhe.

“Unë shpresoj shumë që ta hapim këtë rrugë në mënyrë provizore, duke ruajtur të gjithë parametrat dhe gjithçka tjetër që është e rëndësishme përsa i përket sigurisë rrugore, për t'i dhënë një frymëmarrje lëvizjes në jug të vendit. E kemi parë fatkeqësisht gjatë fundjavave të fundit, që ngarkesa ka qenë shumë e madhe. Sigurisht Vlora do të vazhdojë të përdoret si rrugë, sepse janë të gjithë turistët që qëndrojnë në qytetet apo që shkojnë në Rradhimë, por të paktën të gjithë ata qytetarë, vizitorë apo turistë të huaj, që kërkojnë të aksesojnë jugun do të përdorin këtë rrugë, kështu që minimalisht trafiku do të ndahet në dy pjesë dhe nuk do të kemi atë problematikë që kemi pasur”, Duhet tregohet kujdes, është rrugë e re, e di që thërrasin për shpejtësi rrugët e reja, ne ketë po e hapim për të lehtësuar trafikun, jo për të bërë gara se do ketë përqendrim të madh të Policisë rrugore”, tha Balluku.

Nga ana e tij drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi theksoi se punimet po ecin me ritme të mira, teksa kanë marrë zgjidhje edhe problematikat e evidentuar sa i takon kryesisht gjeologjisë.

“Nuk kemi problematika teknike. Kemi filluar vijëzimin horizontal i cili është i përkohshëm, që është ndarja e korsive. Jemi duke ecur mirë me ritmin. Kemi arritur në vendosjen e trarëve për pjesën e urës. Kemi përfunduar dy kampata dhe jemi duke vendosur trarët për kampatën e tretë, ndërkohë që kemi filluar dhe betonimin. Nga kilometri 19 në drejtim të kilometrit 10 jemi duke punuar me mbushjet, me terameshin, me asfaltimet, pastrimin e skarpateve”, sqaroi Berberi.

Kjo vepër infrastrukturore me një gjatësi 29 kilometra është parashikuar të dorëzohet brenda 36 muajve, ndërsa në kontratë është parashikuar edhe mirëmbajtja e aksit për 10 vitet e ardhshme pas vendosjes së saj në funksion. Ky bypass nis në fundin jugor të autostradës Levan-Vlorë dhe përfundon në lindje të Orikumit ku bashkohet me rrugën nacionale Orikum-Sarandë.Në projektin janë parashikuar ndërtimi i 5 ura, një gjysmë tunel si dhe ndërtimi i mbrojtjes lumore të lumit Dukat. Rruga e re vlerësohet si një ndër segmentet me impaktin më të lartë turistik që  do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës. 

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?