Mbyllet edicioni 14 i festivalit të aktrimit ‘Apollon 2023’, Olta Daku e Mentor Zyberaj vlerësohen si aktorët më të mirë

29 Prill 2023, 16:53| Përditesimi: 29 Prill 2023, 16:56

  • Share

Festivali mbarëkombëtar i aktrimit “Apollon” 2023, mbylli edicionin e 14-të me mbrëmjen finale të ndarjes së çmimeve për aktorët më të mirë në Teatrin “Bylis” në Fier.

Për 5 netë radhazi festivali solli në skenën teatrore trupa të njohura nga Shqipëria, Kosova, e Kroacia. Aktoret më të mirë joprotaginiste u vlerësuan Mimoza Marjanaku dhe Indrit Çobani.

“Rikthimi këtu në Fier ishte shumë emocionues sepse edhe njëherë si herët e tjera salla u mbush plot dhe komunikimi me publikun ështe në një nivel special", tha Indrit Çobani, aktor.

“Shumë emocione ndjeva, nuk e prisja në fakt. Më shtohet emocioni më shumë pasi duke qenë dhe vajzë fierake ndihem e nderuar dhe e lumtur që këtë çmim e mora në qytetin tim”, tha aktorja Mimoza Marjanaku.

Olta Daku dhe Mentor Zyberaj rrëmbyen çmimin e aktorëve më të mirë protagonistë të festivalit.

“Këtë festival e dua shumë është një festival shumë i veçantë, pikërisht sepse i dedikohet aktorit. Ka qenë kënaqësi shumë e madhe që kam pjesë në këtë shfaqje. Ndoshta edhe pse pikërisht kemi konkuruar në këtë shfaqje dhe këtë çmim në njëfarë forme e kemi pritur pasi kjo shfaqje prej 5 vitesh  është vlerësuar me 20 çmime ndërkombëtare në botë”, shprehet, Mentor Zyberaj aktor.

Për Kryetarin e jurisë, aktorin Ndricim Xhepa, bashkëpunime të tilla të trupave teatrore janë të një rëndësie të veçantë ndërsa pati dhe një apel mbi pushtetin qendror për të shtuar vëmendjen ndaj artit dhe kulturës.

“Është një festival që për disa vite ka bërë një emër për disa vite të mira. them se e meriton se çdo vit e meriton të ketë prezencën e disa trupave nëpërmjet të cilëve vlerësohen interpretët, karakteret dhe figurat artistike të prodhuara në mbarë shqiptarisë. Qeveria dhe shteti duhet ta shohë më me seriozitet më me dashamirësi artin”, tha Nriçim Xhepa.

Festivali i aktrimit “Apollon 2023” erdhi ne qytetin e Fierit pas nje periudhe ndërprerjeje me një kastë të njohur aktorësh të 9 trupave teatrore nga Shqipëria dhe trevat shqiptare.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?