Nene Tereza takon Elizabeten e II

Mbretëreshat e njerëzimit

9 Shtator 2022, 09:42| Përditesimi: 9 Shtator 2022, 09:56

  • Share

Dihet. Ka njerëz që nuk vdesin kurrë. Vijnë në Tokë me një mision dhe ikin duke lënë pas pavdekësinë. Gjithë rruzulli bie dakord se Mbretëresha Elizabeta e II, është një nga këta humanë.

Është e jashtëzakonshme të shohësh se si flokëbardha 96 vjeçare paska marrë zemrat e më të vegjëlve, e të rinjve, e të rriturve dhe të moshuarve njësoj e njëkohësisht. Të gjithë të përlotur dhe me dhimbje për largimin e saj. Në botën mbarë.

Duket sikur iku një bastun i sigurtë dhe i fortë, ku globi ynë mbante ekuilibrin. Iku një qënie e mirë, e paqtë, në harmoni me veten, bashkëkombësit dhe njerëzimin.

Iku një grua që nuk i lejoi vetes kapriçot, ekstravagancat, heqjedorë-t, dashuritë, akuzat, kudërakuzat, intrigat, që prekën shumicën e familjarëve të saj. Ajo, qëndroi deri në fund, Madhëri.

“... Gjithnjë ka qenë më e lehtë të urresh dhe të shkatërrosh. Të ndërtosh dhe të duash, është shumë më e vështirë...” Janë këto fjalët e një Elizabet e II fare e re, në fjalimin e parë për Krishtëlindjet e 1957. A vazhdojmë të vuajmë sot e kësaj dite të gjithë ne njerëzorët pikërisht nga kjo gjë? A janë  luftrat kudo një paaftësi për të dashuruar dhe një lehtësi për të shkatërruar dhe urryer?

A përballemi ne, sot e kësaj dite, në Shqipërinë tonë të vogël, pikërish me kë urren dhe shkatërron me lehtësi?

Në veprimet dhe në fjalët e më të rëndësishmëve që morën një vend të gjatë dhe me peshë në histori, ruhen sekrete të një jete më të mirë për veten dhe njëri-tjetrin. Mbretëresha Elizabet II ka lënë kaq shumë vlera në rrugëtimin e saj, siç, një tjetër grua, për nderin tonë shqiptare, ka lënë gjithashtu me zemërgjerësi. Në këtë foto Nënë Tereza komunikon me Elizabetën e II. Dy gra të mëdha, dy mbretëresha të lindura, e të gjithëpranuara, me siguri, janë kanë kaluar stafetën (fshehurazi) një gruaje tjetër që do të marrë vendin që i takon në histori. Kur? Këtë nuk e dimë.

Në pritje të një “mbretëreshe” tjetër, me misterin nëse do të ketë veshjen e një misionareje, kurorën e një sovraneje, apo pëlhurën e tejdukshme të ndërtimit dhe të dashurisë, njerëzimi lutet për përmirësim.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?