Mbrëmje poetike, kujtohet 112 vjetori i lindjes së Migjenit! Veprat e shkrimtarit të madh interpretohen nga Xhepa e Bulku

14 Tetor 2023, 16:09| Përditesimi: 14 Tetor 2023, 16:13

  • Share

112 vjetori i lindjes së gjeniut të Letrave shqipe, Millosh Gjergj Nikolla i njohur si Migjeni është përkujtuar me një mbrëmje të veçantë poetike dedikuar jetës dhe veprës së poetit të letërsisë moderne të shek XX.

Dokumentari mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit të madh të viteve ’30 i la radhën më pas interpretimit të pjesëve të krijimtarisë së poetit nga artistë të ftuar të si Rajmonda Bulku, Ndriçim Xhepa etj.

Ndër mysafirët e veçantë të mbrëmjes ishte dhe mbesa e poetit Angjelina Luarasi Ceka, por edhe studiues, akademikë të cilët vlerësuan lart veprën dhe kontributin e poetit për sa kohë ai jetoi.

“Ai hapi një rrugë dhe një shteg, ku letërsia shqipe mund të shkruhej ndryshe vetëtitëse, magjepsëse, por edhe e mprehtë. Ai ndihmoi që ajo të kërkonte më thellë në të vërtetën e shpirtit të njeriut”, tha Diana Çuli, shkrimtare.

“Kjo vepër kaq e vogël ka gjeneruar një letërsi ose metaletërsi shumë të madhe,  shkrime kritike, letërsi, ese, monografi tekste shkollore të të gjithë niveleve përmes së cilës, vepra e Migjenit ka gjeneruar vetveten, si asnjë vepër tjetër e letërsisë shqipe”, u shpreh Bashkim Kërçuku, pedagog studiues.

I ndarë nga jeta në gusht të vitit 1938 Migjeni ishte ndër të rrallët shkrimtarë të kohës, që la pas veprat “Vargjet e lira” ,“Novelat e qytetit të veriut” përmbledhje e prozave, të botuara pas vdekjes.

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?