Mbrëmja gala, flet vajza e Agron
Aliaj: Si e kujtoj babanë tim

1 Nëntor 2012, 22:08| Përditesimi:

  • Share
Koreografi i shquar Agron Alija më 30 tetor kishte ditëlindjen. Bashkëshortja Valdet Alija dhe vajza e tij Greta ishin të parat në radhët e para të shfaqjes së baletit që ishte organizuar nga balerinët e Teatrit të Operës dhe Baletit për nder të Mjeshtrit të madh të koreografisë shqiptare.

Ish-nxënësit e tij performuan mbrëmë një seri shfaqjesh për në nder të krijimtarisë së mjeshtrit të baletit shqiptar Agron Aliaj. Bashkë me balerinët në këtë ditëlindje ishin edhe pjesë koreografike të ish-nxënësve të tij si Ilir Kerni, Leonard Ajkun, tashmë koreograf i madh në Amerikë, Arian Sukniqi , etj, dhe pjesa më e madhe e shfaqjes ishin me dhjetëra episode të krijimeve të koreografit të madh Agron Alija.

Mbrëmja e 30 tetorit në Tetarin Kombëtar të Operës përkujtohet nga balerinët me një shfaqje që maestro Aliaj e ka pasur shumë për zemër; baleti me në qendër Shote dhe Azem Galicën. Agron Alija tragjikisht u nda nga jeta në majin e këtij viti, pasi nuk mundi dot t’i mbijetonte aksidentit të ndodhur fare pranë Teatrit të Operës, prej nga kishte dalë pas orëve të gjata të provave me shfaqjen “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”. Ata, nxënësit e tij, balerinët e skenës shqiptare e rikthyen në skenë krijimtarinë e maestro Agron Aliajt, në shenjë falënderimi për njeriun që jetën ia kushtoi baletit dhe filizave të rinj. Mbrëmë ndërsa bashkëshortja, Valdetja, kujtonte sesi Agron Aliaj i festonte me nxënësit shpesh ditëlindjet, Greta e bija përjeton një gjendje tjetër, ku përzihet malli e dhimbja bashkë me krenarinë për babanë e saj. Ja si e kujton Greta në këtë ditë të shënuar...

Ditëlindja

Greta, në këtë ditëlindje të parë të babait tuaj nxënësit janë mbledhur ta përkujtojnë. Si ndiheni në këtë moment?
-Janë emocione të ndërthurura të gërshetuara. Dhimbja është gjithmonë prezentë, sepse dhe ndoshta edhe më e madhe, sepse sot ishte një ditë e shënuar për mua, që me babin në këto raste edhe pse ishim larg dëgjoheshim. Më gëzonte zëri i tij, ndihej prania e tij, sidomos kur bëhet fjalë për ditëlindjet dhe urimet që shkëmbenim. Dhe për mënyrën sesi ai iku, domethënë gjithçka e shton akoma më tepër dhimbjen e mungesës, por shfaqja sikur më ngroh. Balerinët, ajo çfarë ka organizuar drejtoria e Teatrit të Operës me veprën e tij, të japin vetvetiu ndjenja pozitive, emocione të bukura.


Ju vetë jeni pianiste, jeni shumë afër profesionit me babanë tuaj, çfarë keni përgatitur për ditëlindjen e tij sot?
-Mungesën e babait tim kohët e fundit, këtë dhimbje mund ta kaloja duke studiuar e punuar më tepër në këtë fushë. Madje kohët fundit regjistrova një sonatë Marsh funebër të Bethovenit, Opus 26. Mendova se ndoshta do ta luaja më mirë, e nxitur nëpërmjet dhimbjes sime dhe duke e ndjerë do ta ekzekutoja më mirë. Më kanë përshëndetur shumë miq në facebook dhe kjo më jep forcë. Unë vetëm nëpërmjet punës mendova se do ta kaloja një dhimbje të tillë. Nisa të punoja për mirënjohjen e një babai si Agroni që na ka lënë kujtime të bukura dhe vlera të mëdha njerëzore. Ai këto vlera i transmetojë me edukimin tim dhe me përkushtimin me mua që të përparoja në punën time artistike.

I takoni shpesh nxënësit ose ish-studentët e babait tuaj, sa të lidhur jeni me ta?
-Ah, kjo lidhje më mungon, sepse unë jam shumë larg atdheut.

Në këtë kthim tuajin në Shqipëri, duke parë edhe programin e koncertit, si e keni mishërimin e figurës së babait tuaj në art?
-E vërteta është se unë kam 20 vjet që kam ikur dhe babai në vitet e demokracisë ka punuar jashtëzakonisht shumë. Sikur mori një forcë të re, një energji të re. Kjo gjë më mundon sepse në këtë vrull veprash që ka bërë, shumë prej tyre unë nuk i kam parë dot. Unë pashë veprën e fundit për Gjergj Elez Alinë me muzikë të Fehim Ibrahimit dhe u lumturova, sepse megjithëse babai ishte në spital dhe ishte një dhimbje të tmerrshme për ne, unë u emocionova, sepse baleti e ruajti deri në fund vlerën. Pashë se në skenë ishin ato vlera të një baleti kombëtar që edhe Europa nuk i ka, edhe Amerika nuk i ka dhe baleti ynë ka vlera me të cilat Shqipëria nuk humbet kurrë. Jam emocionuar tej mase dhe më vjen keq që nuk kam parë, për shembull “Zhizelin”, nuk e kam shijuar në skenë. etj

Maestro Aliaj luante edhe në Piano, si i kujtoni marrëdhëniet me të kur keni qenë e vogël?
-Kujtoj që babai im kur mbusha pesë vjeç, me lekët që mori nga një shfaqje baleti më bleu një piano me bisht. Në qoftë se mbaj mend dhe çfarë u shpjegoja nxënësve të mi janë notat e bardha dhe të zeza dhe e mora si lodër. Ndërsa ai më mësonte, unë e konsideroja si lodër. Ishte mënyra e tij për më lidhur me artin. Babi edhe përrallat m’i tregonte si lodër.

Një mesazh që do të donit t’ia jepnit sot për ditën e lindjes babait tuaj?

-Është shumë i gjatë mesazhi. E dua shumë akoma.

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?