Mblidhet Asambleja e Akademisë së Shkencave, Zhupa: Gjinushi e drejton në mënyrë të paligjshme, e ka kthyer në institucion të politizuar

6 Shkurt 2023, 13:07| Përditesimi: 6 Shkurt 2023, 13:16

  • Share

TIRANË- Ditën e sotme është mbledhur Asambleja e Akademisë së Shkencave. Në mbledhjen e organizuar, akademiku Skënder Gjinushi prezantoi arritjet e Akademisë për vitin 2022 si edhe programin e punës për vitin 2023.

Teksa mbahej mbledhja, në oborrin e Akademisë së Shkencave ishte e pranishme deputetja demokrate Ina Zhupa, e cila tha se mbledhja po zhvillohet në mungesë legjitimiteti, pasi edhe ajo duhej të ishte e pranishme si anëtare në Komisionin e Edukimit.

Zhupa hodhi sërish akuza ndaj Gjinushit duke thënë se e drejton në mënyrë të paligjshme Akademinë e Shkencave pasi nuk është i dekretuar nga ish-Presidenti Ilir Meta. Arsyeja se pse nuk është dekretuar ka qenë posti i kryetarit të partisë në kohën kur u zgjodh për atë post. Zhupa tha se Gjinushi e ka kthyer Akademinë në e Shkencave në institucion të politizuar.

DEKLARATË E DEPUTETES INA ZHUPA NGA AKADEMIA E SHKENCAVE

Ndodhemi këtu, siç ju e dini, në oborrin e Akademisë së Shkencave, i cili duhet të ishte në fakt institucioni që prodhonte lajme pozitive. Institucioni që prodhonte shkencë, institucioni që fliste për zhvillimet e vendit, zhvillimet ekonomike, për zhvillimet sociale, ashtu siç jepte mundësinë për të ecur përpara edhe në kulturën e albanologjisë, gjuhësisë, në gjithçka që lidhet me identitetin e historisë shqiptare.

E kundërta ndodh prapa këtyre mureve sot, ku është duke u zhvilluar mbledhja e asamblesë së akademikëve, që në një rast normal unë do të isha duke e ndjekur këtë mbledhje për shkak të funksioneve të mia si deputete në Komisionin e Edukimit, por është duke u zhvilluar në kushtet e një mungese legjitimiteti.

Akademikët këtu janë përballë një kryetari i cili vazhdon e mban postin në mënyrë të paligjshme. Vazhdon dhe e mban postin të padekretuar nga Presidenti i Republikës. Është një kryetar i cili sot është në Gjykatën Kushtetuese, për cilësitë e tij si kryetar, dhe nga ana tjetër pres që kjo asamble sot e akademikëve të marri në shqyrtim edhe ligjin me porosi, që ka porositur Skënder Gjinushi, për dhënien e një mandati të dytë vetes së tij në krye të akademisë.

Pra, edhe pse e mban mandatin e tij sot që flasim në mënyrë të paligjshme, ka bërë një ligj me porosi nga dy deputetë socialistë për të tejzgjatur edhe një mandat tjetër për veten, nënkryetarin dhe sekretarin e akademisë.

Unë pres që akademikët të jenë të shqetësuar. Ata akademikë të ndershëm, ata akademikë që realisht e meritojnë këtë emër të rëndësishëm. Vetëm ne kemi mbetur sot të shqetësuar që kemi në krye ende Skendër Gjinushin si përfaqësues të Akademisë së Shkencave në grupin e punës dhe në ligjin e shkencës.

Përfaqëson Akademinë e Shkencave si kryeenciklopedist, si kryehistorian në projektin e historisë, si kryegjuhëtar në projektin e fjalorit.

I ka marrë të gjitha vetë, ku në cilësitë e tij njihet për Caruan-ën e Shkencës, njeriun që vetëm plagjiaturist. Plagjiaturon nga ata autorë të cilët nuk ekzistojnë.

Kjo situatë në Akademinë e Shkencave bëhet edhe më e vështirë për faktin se edhe sot keni në rend dite shtimin e anëtarëve të asamblesë Akademisë së Shkencave, dhe z.Gjinushi ka arritur në këto vite, në paligjshmërinë e vetë, të bënte anëtarë të rinj të Akademisë së Shkencave, njerëz që e përkrahin atë, ose njerëz të ish-PS, siç e thotë edhe investigimi i BIRN.

Ish-deputetët e PS janë tashmë akademikë të Asamblesë së Përgjithshme të Akademisë së Shkencave. Një nga akademiket e mban këtë titull sot sepse ka bërë një ligj anti-kushtetues, që e lejonte Gjinushin që të vazhdonte pa dekret në krye të Akademisë.

Mos u çudisni që në mandatin e radhës të Skënder Gjinushit, të kemi akademik edhe Petro Koçin, për shkak se po bën ligjin me porosi për t’i zgjatur dhe për t’i dhënë mandatin e dytë Skënder Gjinushit.

Kjo ishte arsyeja pse unë e mendova të rëndësishme sot, në ditën që mblidhet Asambleja e Akademisë së Shkencave, ne të kërkonim akademikët më shumë shkencë, më shumë ligjshmëri, reflektim mbi ato që kërkon vendi, zërin e akademisë kur bëhet fjalën për koncensionet e Akademisë Kulturore, siç ishte rasti i Butrintit dhe për problemet që ka ky vend, dhe jo kapjen e një akademisë nga një person dhe përdorimin e këtij posti për qëllime të veta personale dhe dhënien parti borxh Edi Ramës për qëllime të tija elektorale.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?