Mbledhja e përbashkët e qeverisë
shqiptare e kosovare,ja axhenda

26 Nëntor 2017, 15:48| Përditesimi:

  • Share
Nesër do të zhvillohet mbledhja e katërt e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës. Mbledhja e nesërme do të mbahet në qytetin e Korçës, e cila do të nisë në orën 16:00 dhe axhenda parashikon nënshkrimin e katër marrëveshjeve.

Marrëveshjet e nënshkruara do të bëhen të ditura për opinionin publik nëpërmjet një konference të përbashkët të kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe atij të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ndërsa takimi i nesërm i dy qeverive zhvillohet në Korçë, në 28 nëntor qeveritë zhvendosen në Vlorë, me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Në mesditë në Vlorë do të zhvillohet ceremonia e ngritjes së Flamurit në sheshin e “Pavarësia”, e pas ceremonisë do të shpallet zyrtarisht edhe logoja e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Pasditja e 28 nëntorit do i gjejë dy qeveritë në Presidencë për të marrë pjesë në një ceremoni të organizuar nga Ilir Meta me rastin e festës kombëtare.

Mbledhja e parë e përbashkët u zhvillua në Prizren më 11 janar 2014 ku Rama u takua me kryeministrin e saj kohe, sot President, Hashim Thaçi, në Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit.

Mbledhja e dytë e përbashkët u zhvillua më 23 mars 2015. Ndryshe nga një vit më parë, takimi i dytë u zhvillua në Tiranë. Pas një viti, më 3 qershor 2016 dy qeveritë u mblodhën përsëri, kësaj radhe në Prishtinë. Mbledhja e katërt e përbashkët e dy qeverive do të zhvillohet në Shqipëri dhe ndryshe nga të mëparshmet do të zgjas dy ditë.

 

Redaksia Online
J.Sh/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?