Mbajtja e maskës, gjobiten me nga 3 mijë lekë 627 qytetarë! Ndëshkohen dhe 2 administratorë lokalesh

3 Nëntor 2020, 14:47| Përditesimi: 3 Nëntor 2020, 17:48

  • Share

TIRANË- Për mosmbajtje të maskës janë gjobitur 627 qytetarë dhe me nga 1 mln lekë dy administratorë lokalesh.

Këto të fundit u pikasën nga policia teksa mbanin muzikë me zë të lartë edhe pas orës 20:00, ndonëse kjo është e ndaluar si masë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Ndërkohë, 10 persona janë shoqëruar në Komisariat pasi refuzuan që t'i japin policëve kartën e identitetit. Më pas ata u lanë të lirë, pasi u gjobitën me nga 3 mijë lekë. 

Njoftimi i plotë i policisë
Ndëshkohen me masë administrative 627 qytetarë dhe 2 administratorë lokalesh, pasi nuk zbatuan masat anticovid. 

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia. 

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 627 qytetarë që nuk kishin maskat mbrojtëse.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 2 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë.

Gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 10 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, të respektohet me rigorozitet vetëkarantinimi i detyrueshëm nga ata qytetarë që janë të prekur me COVID-19, pronarët e lokaleve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19".

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?