Mbajtja e maskave me detyrim/ Gjobiten me 3 mijë lekë 706 qytetarë! 6 të tjerë shoqërohen në Komisariat, s'i dhanë ID Policisë (VIDEO)

28 Tetor 2020, 15:23| Përditesimi: 28 Tetor 2020, 17:36

  • Share

TIRANË- Kur kanë kaluar më shumë se dy javë nga vendosja e maskës me detyrim, qytetarët duket se nuk janë ndërgjegjësuar mjaftueshëm pasi numri i gjobave që vendoset vijon të jetë shumë i lartë. Në 24 orët e fundit, janë ndëshkuar  706 qytetarë që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse. Gjoba ndaj tyre është 3 mijë lekë dhe në rast përsëritjeje do të ndëshkohen 5 mijë lekë.

Ndërkohë, 6 persona të tjerë janë shoqëruar në Polici 6 qytetar të cilët refuzuan që t'i jepnin uniformave blu mjetet e identifikimit, dhe pasi u gjobitën, u lanë të lirë.

"Kontrolle të vazhdueshme për monitorimin e masave, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

U konstatuan duke lëvizur pa maska, ndëshkohen me masë administrative 706 qytetarë. 

Strukturat  e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.  

Në zbatim të masave anticovid, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, nga Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë, 706 qytetarë që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse. 

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 6 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë. 

Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, të respektohet me rigorozitet vetëkarantinimi i detyrueshëm nga ata qytetarë që janë të prekur me COVID-19, pronarët e lokaleve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19", njofton Policia e Shtetit. 

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?