‘Mazhoranca do të kontrollojë SPAK-un’, qeveria i përgjigjet Bashës: Tym i përhapur nga ballkoni i rrugicës mbrapa Piramidës dhe jermi nga ëndërrzgjëndra e Lulit

20 Janar, 14:22| Përditesimi: 20 Janar, 18:07

  • Share

Duke marrë autorësinë e të vetmit mbështetës politikë të punës së SPAK-ut, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha foli për një informacion të pakonfirmuar prej tij, mbi një iniciativë të socialistëve për të kontrolluar drejtësinë.

"Qeveria ka nxjerrë nga sirtarët një qasje për të kontrolluar dhe goditur SPAK-un përmes një komisioni të ashtuquajtur të të drejtave të njeriut që shkelen nga institucionet e drejtësisë”.- tha Basha.

SPAK-u sipas Bashës po i jep fund pandëshkueshmërisë, ndaj sipas tij, manovrat e socialistëve, nëse janë të vërteta, lidhen me goditjen historike kundër korrupsionit të qeverisë, sipas tij.

‘Në qoftë se po mendohet nga partia në pushtet, për t’iu kundërvënë fuqisë goditëse të SPAK-ut, mund të llogarisin në kundërshtimin e hapur dhe të gjithanshëm të Partisë Demokratike.’- u shpreh Basha.

Dilemave të Lulzim Bashës për saktësinë e informacionit që deklaroi publikisht gjatë konferencës për mediat të premten, i dha përgjigje ministrja e shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali, duke e vlerësuar “të pavërtetë qesharake”

“Partia Socialiste nuk është as në ballkon, as në ranishte, po në krye të një lufte që vazhdon, për drejtësinë deri në fund. Të tjerat janë tym nga ballkoni mbi rrugicë, thashetheme nga ranishtja në gji të Lalzit dhe jerm nga ëndërrzgjëndra e Lulit”- tha Spiropali.

Ministrja Spiropali tha se “Reforma në Drejtësi është flamuri i të gjitha reformave që lartësohet me mbështetjen e socialistëve dhe në bashkëpunim të ngushtë me aleatët strategjikë.

‘SPAK-u sot është një ndër arsyet e krenarisë sonë për atë flamur, i cili nuk do të ishte ngritur kurrë në këtë vend, pa Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.’- tha Spiropali.

Megjithë garancinë se reforma në drejtësi nuk preket, ministrja e shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali u kujdes të sqarojë se cilat janë tre planet e socialistëve, garantimi se nuk do të ketë asnjë hap pas në progresin e bërë, modernizimi i “çdo gjymtyre e organi të shtetit”, sic ajo u shpreh, e rritja e kapitalit njerëzor të administratës publike, synime këto të përforcuara edhe në mbledhjen 2 ditore të qeverisë e drejtuesve të Partisë Socialiste në Lezhë.

Ora 15:41
PD reagon pas deklaratave të Spiropalit për SPAK: Mazhoranca të respektojë parimin e ndarjes së pushteteve

1705761854_edvinkulluri.jpg

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun i Partisë Demokratike, Edvin Kulluri reagoi sot ndaj një postimi në rrjetet sociale të ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e cila u shpreh se SPAK nuk preket ndërsa. Sipas Kullurit, Spiropali mundohet të fshehë përpjekjen e Ramës për të zgjeruar pushtetin e tij.

“Kuvendi e ushtron kontrollin mbi institucionet përmes thirrjes në interpelanca, komisionet parlamentare dhe komisioneve hetimore që po i asfiksojnë akoma më përmes ndryshimeve në Ligjin per Komisionet Hetimore qe dekretoi Presidenti. Parlamenti nuk është administratë publike si pretendon mazhoranca por përfaqësues i vullnetit te qytetarëve. Ndaj dhe kemi kërkuar forcimin e rolit të tij permes ndryshimit të Kodit Zgjedhor me anë të “listave të hapura” apo barazise së votes dhe votës së diasporës”, u shpreh Kulluri.

“I bëjmë thirrje mazhorances të respektojnë parimin bazë demokratik perëndimor të balancës mes pushteteve legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor”, tha Kulluri.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?