KATAR - Max Verstappen ka fituar kampionatin e tretë botëror radhazi në Formula 1 me Red Bullin. Holandezi e mbylli çështjen e titullit kur Sergio Pérez doli nga gara e sprintit në Çmimin e Madh të Katarit të kësaj fundjave, duke e konfirmuar atë si të dytin pas Oscar Piastrit. Me tri pikët që i duheshin më shumë se shoku i skuadrës Perez, tanimë Max Verstappen është kampioni i këtij sezoni në Formula 1 për pilotë dhe paçka se nesër zhvillohet gara e Katarit, çështja e titullit u vendos që sot në garën sprint.
Verstappen përfundon një sezon krejtësisht dominues për të dhe Red Bullin, me skuderinë britanike që për herë të gjashtë fiton edhe titullin për konstruktorë. Ky sukses e vendos 26-vjeçarin Verstappen në një nivel me pilotët e F1 që kanë fituar tre kampionate radhazi, së bashku me Juan Manuel Fangio, Michael Schumacher, Sebastian Vettel dhe Lewis Hamilton.
Titulli kampion këtë sezon nuk ishte kurrë në dyshim, siç nuk ishte në dyshim as epërsia e Verstappen ndaj pjesës tjetër të rivalëve. Ai ka marrë 13 fitore nga 16 gara deri më tani, duke përfshirë një seri rekord prej 10 fitoresh radhazi që siguruan që ai të ishte i paprekshëm në "luftën" e kampionatit.
Kur duhen edhe gjashtë gara nga fundi i sezonit të rregullt në F1, tanimë bota e shpejtësisë e ka kampionin e saj dhe ai është Verstappen, që nuk zbret nga froni.