Kronikë

'Maturantët kanë zë', vijon edhe ditën e sotme protesta për vështirësitë e provimit të matematikës

13 Qershor 2021, 13:00| Përditesimi: 13 Qershor 2021, 14:53

  • Share

Me megafonë në dorë dhe me thirrjet 'Maturantët kanë zë' e 'Duam drejtësi' ka vijuar edhe ditën e sotme protesta për vështirësitë e provimit të matematikës. Fillimisht maturantët janë vendosur në rrugën e Durrësit, përballë Ministrisë së Arsimit duke bllokuar kështu dhe qarkullimin e automjetve në atë zonë. Më pas ata kanë marshuar për në Qendrën e Shërbimeve Arsimore.

Në mbështetje të maturantëve, ditën e sotme kishin dalë edhe një grup studentësh. Për gazetarin e Report TV, Arsen Rusta, maturantët shprehen se testi ishte i vështirë dhe kërkojnë që të zbritet pragu i pikëve. Ndërsa ende iu qëndrojnë pretendimeve se testi është marrë nga universiteti Cambrige.

"Nuk ka mbetur zgjidhje tjetër. Arsimi është shumë i korruptuar, ose me mik ose me  lekë. Nëse janë gjithë dakord mos të futemi në provimin me zgjedhje. Ishte shumë i pakuptueshëm, kam dalë shumë skandal. Mendoj se do iki për vjeshtë. Vi nga shkolla Ibrahim Rrugova", tha një maturante.

Shkalla e vështirësisë shumë e lartë. Kërkojmë që minimumi të zbritet pragu nga 60 në 50 dhe shuma e pikëve të marra të shumëzohet me koeficentin 1,4.

Ne duam të rishikohet testi dhe të bëhet një rihartim në bazë të programit që ne kemi mësuar sepse ishte jashtë tij. Përderisa i përkasin universitetit Cambrige, ne nuk kemi studiuar në Cambrige.

Unë personalisht nuk kam dalë në pritshmëritë e mia. Kam parë që testi ishte i një niveli që nuk e prisnim", u shprehën maturantët.

Pas 'Turit' në provimin e kaluar maturës së Gjuhës e Letërsisë, maturantët ngrenë pretendimet se këtë vit janë përballur me 'Sindin'. Sipas tyre ajo ishte një pyetje e përkthyer gabimisht nga teza e Cambrige dhe nuk kuptohej se çfarë kërkohej.

"Pyetja ishte nëse Sindi ka të drejtë apo jo dhe sa ishte shuma e arkave që kishte ajo. Sindi s'kishte të drejtë fare.

Sa kuti çokollate duhet të vendosen në kutinë e Sindit. Nuk kishte informacion të detajuar. Plus testi është marrë identik nga Cambrige. Ne nuk kemi të njëtin program me ata, nuk kemi pse të bëjmë atë lloj testi.

Problemi me sindin është se Sindi ka një arkë dhe pastaj disa nga përmasat e arkës. Pastaj janë disa të dhëna shumë të çrregullta për shkak të përkthimit nga anglishtja në shqip. Është pyetje totalisht jashtë logjike. Duhet të hamendësoje, po ose jo dhe përsëri nuk i merrje pikët e sakta sepse të kërkonte zgjidhjen e ushtrimit", vijuan maturantët.

Maturantët u shprehën se nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre do të vazhdojnë të protestojnë.

"Nëse kërkesat tona nuk plotësohen ne do vazhdojmë të protestojmë sa të jetë e mundur.

Protesta do zgjasë derisa të na plotësohen kërkesat. Morëm vetëm një reagim që do shikohet provimi, por ne nuk kemi besim", thanë dy maturante.

Kjo është dita e dytë e protestës që po zhvillojnë maturantët për vështirësinë e testit të matematikës. Pas Tiranës, maturantët u mbështetët nga moshatarët e tyre edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë si Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Shkodër, Durrës ku kërkesat dhe ankesat për testin e matematikës ishin të njëjta. Ndërkaq ka pasur një reagim nga Ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se grupi i ekspertëve ka filluar vlerësimin e nivelit të vështirësisë për çdo pyetje në test dhe në rast se rezulton se tejkalon nivelin e parashikuar, do të ketë rishikim të shpërndarjes së pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit.

 

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • franci: 13/06/2021 19:58

    Ishte teza e veshtire apo nuk kishin mesuar....?? Shume faj nuk kane se i tille ishte ky vit mesimor por edhe sikur te kalonin te gjithe ne vitin e pare ne fakultet e kane te sigurt qe shumica ngel, po tr rrish ne kafe te blloku cdo gje eshte e rende. Por nqse teza me te vertete eshte e veshtire jasht kritereve ata qe e bene duhen ndeshkuar....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?