Matura/ 28 mijë nxënës testohen në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi! 30 minuta nga nisja e provimit del teza! Ministria: Nuk cënon procesin

10 Qershor, 09:14| Përditesimi: 10 Qershor, 15:42

  • Share

Maturantët në të gjithë vendin iu nënshtruan këtë të hënë provimit të dytë të maturës shtetërore atij të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.

Rreth 28 mijë nxënës u paraqitën që në orët e para të mëngjesit pranë 144 qendrave të provimit të ngritura në gjithë vendin, për t’iu nënshtruar kontrolleve para nisjes së provimit. Provimi nisi në orën 10 të mëngjesit dhe zgjati siç ishte parashikuar, për 2 orë e 30 minuta.

Dhe skenari është i njëjti, edhe pse Ministria e Arsimit angazhoi rreth 2900 punonjës, mësues, administrator për mbarëvajtjen dhe monitorimin e provimit.

Edhe në provimin e dytë të maturës shtetërore atë të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, teza u publikua në rrjetet sociale 30 minuta pas nisjes.

Megjithatë, me të njëjtin qëndrim si për provimin e gjuhës së huaj më 3 qershor, Ministria e Arsimit thotë se publikimi i tezës nuk e cenon aspak procesin.

Për maturantët provimi ishte i nivelit mesatar, ndërsa sfidën kryesore e kanë javën e ardhshme, kur më 18 qershor testojnë njohuritë në matematikë.

Provimet në total kanë 60 pikë, 20 pikë pyetjet me alternativa, dhe 40 në ato me shtjellim. Provimi i fundit i maturës do të jetë me 24 qershor, ku nxënësit do të testohen në lëndët me zgjedhje.

Ora 11:29
Matura 2024/ Publikimi i tezave të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Ministria: Nuk cenon procesin e provimit

1694076504_ministriaearsimit.jpg

Pas daljes së tezës së maturës për lëndën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë ka reaguar Ministria e Arsimit. Në reagim thuhet se procesi i provimit të Maturës në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi po kryhet brenda të gjitha standardeve të sigurisë të përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore dhe nuk cenohet procesi.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron se publikimi i tezës së provimit të maturës të Gjuhës Shqipe dhe Letërsi, pas nisjes së provimit, nuk cenon aspak procesin dhe mbarëvajtjen e provimit të Marurës Shtetërore.

Rreth 28 mijë maturantë, në 144 qendrat e provimeve në mbarë vendin vazhdojnë të zhvillojnë provimin e tyre në mënyrë të qetë dhe në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë të përcaktuara në rregulloren e Maturës Shtetërore.

MAS dhe institucionet arsimore mbeten të angazhuar për të siguruar një proces transparent dhe të drejtë për të gjithë maturantët, duke u kujdesur që çdo shqetësim i opinionit publik të trajtohet me seriozitetin e duhur.

Në të njëjtën kohë, Ministria thekson se institucionet arsimore kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e procesit të provimit dhe për të ruajtur integritetin e tij.

Suksese të gjithë maturantëve! Falënderime çdo mësuesi, administratori dhe monitoruesi të angazhuar në këtë proces të rëndësishëm të provimeve të Maturës Shtetërore”, thuhet në njoftim.

Ora 10:48
Matura 2024, sot testimi në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, del teza 30 minuta nga nisja e provimit

Përsëritet sërish skena! Një nga tezat e provimit të dytë të Gjuhë Letërsisë, së Maturës Shtetërore 2024, u shpërnda me shpejtësi në rrjete sociale 30 minuta pasi maturantët ishin në provim

Xh.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?