Mashtrimet me rënien e peshës, Altin Joka: Industria po stimulon obezitetin

17 Nëntor 2023, 12:56| Përditesimi: 17 Nëntor 2023, 15:52

  • Share

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti i njohur nga Suedia, Altin Joka, i cili foli për dietat e dobësimit dhe biznesin e dobësimit.

”Dobësimi është kamufluar në formën e një biznesi, duke u kthyer në një industri, ku sot ne mund t’a quajmë industria e rënies së peshës” e nis kështu intervistën nutricionisti, duke shtuar se 10 vite më parë biznesi i dobësimit ka harxhuar mbi 60 miliard dollarë, ndërsa sot kjo shifër ka arritur në 280 miliard dollarë.

Industria e dobësimit ka njohur rritjen më të madhe këto kohë, me gati pesëfishin krahasuar me vite më parë dhe pas kësaj janë lobime që kanë fuqi të ndërrojnë madje dhe qeveri” shtoi ai, duke theksuar se në këtë punë janë përfshirë kompanitë farmaceutike, mjekësia tek pjesa e kirurgjisë së dobësimit dhe në fund janë trajnerët e shëndetit që e përdorin këtë industri gjigande.

”Organizata Botërore e Shëndetit e ka quajtur obezitetin si epidemia që po godet Europën, ndërsa ne e dimë që obeziteti është i lidhur me 13 lloje kancerash, sipas OBSH-së, ku një në tre persona është ose mbipeshë ose obez” nënvizoi Altini.

”Shumë organizata që thonë se punojnë që të ulet obeziteti, në fakt punojnë që të rritet, pasi kjo industri është një biznes shumë fitimprurës” tha Altini, duke theksuar se më parë obeziteti quhej sindromë metabolike, por sot është kthyer në sëmundje kronike, gjë që është bërë nëpërmjet lobeve të kësaj industrie, duke i bërë njerëzit klient të përheshëm.

”Në krahasim me disa dekada më parë, sot ushqimi është bërë pothuajse i falsifikuar, ndërsa duhet ulur urgjentisht  niveli i sheqerit dhe i kripës që po dëmton në heshtje shëndetit e njerëzve” tha Altini.

”Çdo njeri mund të ketë probleme hormonale, me gjendrat, apo me enzimat, ndërsa kjo industri ia përkeqëson situatën duke e stimuluar obezitetin, vetëm për qëllime fitimi” tha ai, ndërsa sipas tij dieta e stilit të jetesës duhet të jetë afatgjatë dhe e përheshme, pasi shëndeti është më i rëndësishëm se çdo gjë dhe dietat që përdoren aktualisht duhet të jenë të personalizuara sepse njerëzit nuk i kanë njësoj kushtet shëndetësore.

Ora 14:06
5 dietat më të vlerësuara sot në botë, Altin Joka: Dieta më e mirë është kjo!

Në vijim të bisedës me nutricionistin e njohur Altin Joka, në studion e ‘Rreze Dielli’ folëm dhe për dietat e dobësimit, ku brenda një dekade, sipas tij kanë dalë mbi 190 dieta të regjistruara dhe një pjesë e tyre janë sponsorizuar për të rritur obezitetin, kur në fakt duhet të bëjnë të kundërtën.

”Këto dieta fillojnë të reduktojnë sasinë maksimale të rënies në peshë dhe kjo rënie e shpejtë bën që pesha në fakt të rifitohet, ku 95 % e njerëzve e rifitojnë përsëri menjeherë” u shpreh ai.

”Këto lloj dietash janë jo vetëm të dëmshme, por prishin eikulibrat e metabolizmit në organizmin tonë” shtoi ai, duke theksuar se duhet bërë një studim për peshën e çdo individi para se të futet në një dietë specifike, pasi dy njerëz nuk janë njësoj. Po cilat janë disa nga dietat më të mira sipas nutricionistit të njohur Altin Joka?

“Sipas paneleve shkencore me studiues nga mbarë bota, është përcaktuar se dieta më e mirë sot për sot është ajo mesdhetare, megjithëse ajo ndahet në pesë nëntipe të saj. Sipas dietës Mesdhetare, duhen konsumuar shumë erëzat, rozmarina, borziloku, majdanozi, koperi, konsumimi jo i shpeshtë i mishit, konsumi i peshkut në sasi të ulta, si dhe drithërat integrale, arroret, perimet si dhe çajrat” thekson nutricionisti.

Më pas Altini foli për dietën ‘Fleksiterane’, e cila është një dietë vegjetariane e kombinuar herë pas herë me ndonjë produkt mishi, ose peshku, ku ka pak yndyrë, prandaj sipas tij quhet Fleksiterane, se është fleksibël. “Kemi dietën ‘Dash’ që është më shumë dietë shëndetësore dhe merret me problemet e hipertensionit. Më pas kemi dhe dietën Ornish, nga doktor Dan Ornish, i cili është fokusuar tek problemet e diabetit, si dhe dietën e ‘Majo Klinik’, e cila ka një përdorim të ulët të kalorive dhe kosumimit të shumë perimeve të papërpunuara” tha nutricionisti në studion e Rreze Dielli.

Në fund kemi dhe dietën ‘Mind’ e cila është një gërshetim i dietës mesdhetare dhe dietës ‘Dash’, pa harruar dhe dietën “TLC” që është specifikisht për kolesterolin. Sipas Altinit këto janë dietat më të rekomanduara nga kërkuesit shkencor të dietave renditur ndër më të mirat.

“Nëse njerëzit fokusohen tek dietat që janë specifike për trupat e tyre, atëherë do të jenë më të shëndetshëm dhe do jetojnë më mirë” u shpreh nutricionisti, duke  thënë se sipas tij, dieta më e mirë është dieta e stilit të jetesës, e cila duhet të jetë afatgjatë dhe e përhershme, sepse më i rëndësishëm është shëndeti ynë, nuk është thjesht obeziteti, pasi ka njerëz që mund të jenë jo mbi peshë dhe përsëri nuk kanë një metobolizëm të shëndetshëm. “Sot në botë 88% e njerëzve nuk janë të shëndetshëm metabolikisht dhe për t’a mbajtur metabolizmin shëndetshëm duhet një dietë e stilit të jetesës, duke patur një balancim të ushqimeve, të nivelit të antioksidantëve, të fenoleve që ne marrim, mineraleve, vitaminave, pra mënyrën e kombinimit të të gjithë produkteve brenda një regjimi të përcaktuar që ta kthejmë në stil jetese” thekson Altini.

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?