Kurti me familjarët e viktimave në Pejë

Masakra në lagjen Dardania, Kurti bën homazhe në Pejë: Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale

27 Mars 2023, 13:00| Përditesimi: 27 Mars 2023, 13:02

  • Share

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe mëngjesin e kësaj të hëne në Pejë.

Ai deklaroi sot se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë dhe se Prokuroria Speciale duhet të punojë ditë e natë në mënyrë që përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të fillojë rehabilitimi për viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

Pas homazheve tek lapidari i masakrës në lagjen “Dardania” në Pejë, Kurti theksoi se drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjatë për siguri për të gjithë dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale, transmeton KosovaPress.

“Këtu në Pejë bëmë homazhe te lapidari duke u përulur e përkujtuar 40 të vrarët gjatë luftës së fundit në Kosovë nga forcat serbe këtu në lagjen ‘Dardania’. Drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjatë, për siguri për të gjithë dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale. Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë, ndërkaq Prokuroria e Kosovës, Prokuroria Speciale duhet të punojë ditë e natë në mënyrë që përgjegjësit të identifikohen, të nxirren para drejtësisë dhe në këtë mënyrë të fillojë rehabilitimi për viktimat, ku dihet se viktima nuk janë vetëm të vrarët e të rrëmbyerit por edhe familjet e tyre, farefisi e mbarë shoqëria jonë”, tha Kurti.

Ndërkaq, të zhgënjyer nga puna e institucione në lidhje me organizimin e këtyre përvjetorëve, janë shprehur familjarët e dëshmorëve.

Familjar i dëshmorit, Ismet Nikqi, Besimi është shprehur i zhgënjyer me punën e institucioneve. Ai tha se duhet më shumë punë në këtë drejtim.

Kushtrim Gashi, familjar i pesë familjarëve të vrarë tha se institucionet përgjegjëse nuk kanë bërë sa duhet, pavarësisht që dëshmorët kanë dhënë jetën e tyre për liri.

Bashkë me kryeminsitrin Kurti në homazhe pranë lapidarit të masakrës në lagjen “Dardania” në Pejë, ishin edhe kryetari i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti dhe kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari.

Në këtë 24 vjetor sot kujtohen dhe nderohen 69 viktimat e lagjes Dardania 1,2 dhe 3.

Më 27 marsin e vitit 1999, banorët e lagjes Dardania në Pejë kishin përjetuar një tmerr kur paramilitarët serbë, kishin filluar t’i ndanin burrat nga familja e tyre dhe më pas i kishin pushkatuar dhe hynë edhe në shtëpitë e këtyre lagjeve ku kryen masakra të rënda.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?