Marsejë, Papa Françesku apel për mikpritje të refugjatëve: Ata që rrezikojnë jetën në det, nuk janë pushtues

23 Shtator 2023, 15:28| Përditesimi: 23 Shtator 2023, 15:49

  • Share

Nga Marseja e Francës, papa Françesku bëri thirrje për mikpritje të emigrantëve dhe jo dëbim të tyre, pasi ata nuk janë pushtues, por thjesht kërkojnë një jetë më të mirë. Deklaratat, Ati i Shenjtë i bëri para presidentit Macron i cili ka paralajmëruar politika shtrënguese për emigrantët.

Papa Françesku tha këtë të shtunë se qeveritë perëndimore duhet të kujdesen më shumë për emigrantët që e kalojnë Mesdheun, sepse “ata që e rrezikojnë jetën e tyre në det, nuk janë pushtues por kërkojnë mirëpritje”.

Gjatë vizitës në qytetin francez të Marsejës, papa u shpreh se migrimi është “realitet i kohës sonë, një proces që përfshin tri kontinente në Mesdhe dhe përgjigja duhet të jetë largpamëse, përgjigje evropiane”.

Deklaratat e Papës - të bëra para presidentit francez, Emmanuel Macron, Qeveria e të cilit planifikon marrjen e masave më të ashpra kundër migrimit – i pasojnë qëndrimet e tij të së premtes, kur ka thënë se “njerëzit që rrezikojnë mbytjen në det, duhet të shpëtohen”.

Mënyra sesa Evropa është duke u marrë me numrin e madh të migrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, është në krye të agjendës politike evropiane prej javës së kaluar, kur mijëra persona kanë arritur në ishullin italian Lampeduza, brenda pak ditësh.

Papa i ka komentuar edhe disa politika të brendshme të Francës, përfshirë projektet e Macronit për vdekje të asistuar dhe përfshirjen e të drejtës për abort në Kushtetutën e shtetit. Kreu i Selisë së Shenjtë ka paralajmëruar se njerëzit e moshuar rrezikojnë “të flaken tutje, nën pretekstin për një vdekje ‘të ëmbël’, e cila është më e ‘njelmët’ sesa ujërat e detit”.

Sa i përket abortit, Papa ka thënë se fëmijët e palindur, “refuzohen në emër të një të drejte të rreme për përparim, e cila në fakt është tërheqje për nevojat egoiste të një individi”.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?