Fabio Pollice dhe Etilda Gjonaj

Marrëveshje bashkëpunimi mes universitetit italian dhe ministrisë së Drejtësisë, Buçi: Mundësi për t’i dhënë ndihmë Shqipërisë në sektorin juridik

15 Mars 2021, 17:19| Përditesimi: 15 Mars 2021, 18:26

  • Share

Sot paradite është nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë në fushën juridike. Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Salento-s, Fabio Pollice dhe nga Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

 Marrëveshja e nënshkruar, ka në fokus përforcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën juridike, veçanërisht në fushën e së Drejtës Penale, të Kodit të Procedurës Penale dhe së Drejtës së Burgjeve dhe promovimi i nismave shkencore e didaktike si në Itali ashtu edhe në Shqipëri, me qëllim studimin dhe përhapjen e legjislacioneve kombëtare përkatëse në fushat që përbëjnë interes për palët.

“Ky nënshkrim sot është pjesë e mbështetjes së ofruar, nga i gjithë Sistemi Italia (që përfshin natyrisht edhe institucionet tona më të mira akademike), një partneri të padiskutueshëm e një Vendi mik si Shqipëria. Karakteristikë e një Marrëveshjeje si ajo e nënshkruar sot është jo vetëm mundësia për t’i dhënë një ndihmë konkrete Shqipërisë në një sektor strategjik si ai juridik, por edhe, e mbi të gjitha, ajo e vendosjes së themeleve të reja e të forta për një shkëmbim reciprok afatgjatë” deklaroi Ambasadori Fabrizio Bucci.

“Mbështetja ndaj Institucioneve shqiptare në fushën e drejtësisë”, shtoi Ambasadori “vazhdon të jetë thelbësore, jo vetëm sepse ndihmon në konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, por edhe sepse sjell një përmirësim konkret në fushën e administratës së drejtësisë nga varet edhe përmirësimi i ‘business climate’ shqiptar dhe, pra, aftësia për të tërhequr më shumë investime të huaja e, veçanërisht, investime italiane. Me përmbushjen e reformave në fushën e së drejtës penale dhe asaj të burgjeve, urimi është që të mund të luftojmë, me më shumë forcë e më shumë rezultate, krimin e organizuar dhe korrupsionin në këtë Vend”.

Pas takimeve të zhvilluara në Ministrinë e Drejtësisë, delegacioni italian i përbërë nga Prof. Rossano Adorno dhe nga Prokurori italian i Ndërlidhjes pranë Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, Francesco Mandoi vijoi misionin me një vizitë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, ku pati një takim me Zëvendës Ministrin Olti Rrumbullaku, për të biseduar mbi bashkëpunime të tjera të mundshme në fushën e Arsimit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?