Ish- deputeti i LSI-së, Lefter Koka

Marrëveshja për 'Zgjedhoren'/ Ish- deputeti i LSI: Gjellë bajate nga Vasili, Bylykbashi, Gjiknuri! Uroj që kërkesat e opozitës së re të mos jenë flakë kashte

13 Qershor 2020, 13:22| Përditesimi: 13 Qershor 2020, 13:32

  • Share

TIRANË- Ish- deputeti i LSI-së, Lefter Koka, i cili nuk dorëzoi mandatin, ka dalë kundër marrëveshjes së firmosur për Reformën Zgjedhore, duke e cilësuar si një "gjellë bajate e gatuar nga Vasili, Bylykbashi, Gjiknuri".

Ai i ka dalur hapur në krahë opozitës së re, në kërkesat e tyre për ndryshim sistemi dhe listat të hapur dhe se nëse kjo nismë do të vijë në Kuvend është shprehur se do e votojë pa e menduar dy herë.

Por, ndalur te kjo marrëveshje për Reformën Zgjedhore, Koka është shprehur se nuk do të votojë as pro e as kundër.

"Marrëveshja e partive të mëdha ka zhgënjyer me të drejtë shumë qytetarë, që jo pa arsye prisnin diçka pozitive lidhur me zgjedhjet e ardhshme.

Për hir të vërtetës më shumë ka zhgënjyer demokratët e thjeshtë, që pas 3 vitesh rrugëve me protesta prisnin largimin e Ramës, dhe jo një marrëveshje të Bashës me Ramën për të mos ndryshuar asgjë! Po nga ana tjetër edhe elektorati gri është i zhgënjyer , sepse panë se kjo marrëveshje nuk solli depolitizimin e komisioneve zgjedhore, siç me të drejtë ky elektorat priste, por veç riciklim të tensionit.

Personalisht as nuk do të merrja mundimin, të ngrija kartonin as për ta votuar e as për ta rrëzuar atë marrëveshje. Nisma e re e deputetit Murrizi dhe kolegut Musai krahas të tjerë deputetëve të opozitës parlamentare , më duket shumë më interesante, se sa gjella bajate e gatuar me muaj të tërë nga kolegët Vasili, Bylykbashi, Gjiknuri.

Hapja e listave dhe ndalimi i koalicioneve me shumë parti, që si fëmijët e lagjes fshihen pas të madhit, shkojnë në drejtimin e duhur për reformimin e politikës. Përshëndes deputetin Murrizi dhe kolegun Musai , bashkë me kolegët e tjerë për sfidën e hapur ndaj statukuosë që ka zhgënjyer thellë qytetarët shqiptarë. Uroj vërtet, që të mos jetë si një flakë kashte dhe jam i gatshëm ta mbështes në rast se kjo nismë do të vijë në Kuvend. Përndryshe për marrëveshjen për t'i lënë gjërat siç janë , garantoj qytetarët se nuk do të lodhem të ngre kartonin, as për pro e as për kundër", shkruan Koka.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?