Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Kushtetuesja shtyn seancën për në 29 janar! Deputetët e opozitës paraqesin kërkesën për prova të reja

24 Janar, 15:12| Përditesimi: 24 Janar, 16:00

  • Share

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për në datën 29 janar vendimin për seancën ku po shqyrtohet kërkesa e 30 deputetëve të opozitës kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët.

Në njoftimin e publikuar për mediat, Gjykata Kushtetuese thekson se në datën 23 janar, deputetët që paraqitën kërkesën për rrëzimin e marrëveshjes, kanë dorëzuar kërkesën edhe për disa prova shtesë lidhur me marrëveshjen.

Gjatë shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se në datën 23.01.2024, ora 15:55, kërkuesi ka paraqitur parashtrime shtesë me shkrim, në përmbajtje të të cilave kërkohej edhe marrje e disa provave. Parashtrimet shtese iu komunikuan për dijeni subjekteve të interesuara në datën 24.01.2024, ora 9:30.

Në këto rrethana, Gjykata bazuar në nenet 43 pika 1 shkronja “ë” dhe 44/a të ligjit organik të saj, që parashikon të drejtën e palëve të kundërshtojnë kërkesat, përfundimet dhe shpjegimet e palëve të tjera, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore të radhës në datën 29.01.2024, ora 10.00"- thuhet në njoftimin e Kushtetueses. 

Kujtojmë se më 18 janar, seanca me dyer të mbyllura në Gjykatën Kushtetuese u shty për në datën 24 janar pasi institucioni i kërkoi qeverisë si provë Traktatin e Miqësisë me Italinë në vitin 1995.  Ndërkohë ditën e sotme, Dhoma e Deputetëve në Parlamentin italian miratoi marrëveshjen me 155 vota pro. 

Drafti për marrëveshjen për emigrantët, u miratua në qeverinë italiane në 5 dhjetor 2023 dhe u dërgua në parlamentin italian për miratim. Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?