Marrëdhëniet e hershme seksuale, shtohet infertiliteti! Gjinekologia: Ka raste kur kryejnë marrëdhënie që 12 vjeç! Sociologët: Duhet edukim seksual

27 Mars, 14:05| Përditesimi: 27 Mars, 15:59

  • Share

Kryerja e marrëdhënieve seksuale në moshë të hershme është kthyer në një tendencë në vendin tonë, duke shtuar rrezikun për sëmundjet seksualisht të transmetueshme, që çojnë deri në infertilitet.

“Sigurisht të kryesh marrëdhënie në moshën 12-13 apo 14 vjeç nënkuptoj se gjatë kohës tënde mund të jesh më i riskuar për më shumë sëmundjeve e para për rritjen e numrit të partnerëve e dyta për mungesën e informacioneve për mbrojtjen e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, të cilat nesër e pasnesër mund të shkaktojnë infertilitet nëpërmjet mekanizmave të njohur të cilët shkaktojnë bllokim të tubave apo infeksion të shtresave të brendshme të mitrës”.- tha Besjona Kodra, obstetër, gjinekologe.

Ndër faktorët mjekja obstetre-gjinekologe Besjona Kodra rendit që nga mungesa e mësimit të mirëfilltë të edukatës seksuale në shkolla e deri tek eksperimentimi me substancat narkotike.

“Ka një tendencë që adoleshentët të kryejnë marrëdhënie më shpejt sesa më përpara, kjo vjen pjesërisht për faktin e një lirshmërie të opinioneve mbi aktivitetin seksual , vjen si pasojë e vrullshme të jetës ku prindërit nuk tregojnë shumë kujdes ndaj fëmijëve për ti edukuar, ndoshta dhe një mungesë nga ana e shkollave për edukimin seksual. Shikohet që adoleshentët e sotme eksperimentojnë me substanca narkotike”.- thotë mjekja Kodra.

Ndërsa për sociologen Entela Binjaku, gjithçka nis nga familja shqiptare që është ende e papërgatitur për t’i diskutuar këto tema me fëmijët.

‘Pasoja e kësaj ulje mendoj që lidhet me uljen e autoritetit prindëror, ose me humbjen e autoritetit prindëror, në radhë të dytë me mungesën e taktit nga ana prindërore për të trajtuar tema me kaq rëndësi të madhe siç janë ato tema të lidhura ngushtësisht me intimitetin, me riprodhimin”.- tha Entela Binjaku, sociologe.

Nisur nga eksperienca e tyre, të rinjtë thonë se edukimi seksual në shkolla është pothuaj inekzistent, ndaj zgjidhjen e shohin te familja.

“Akoma e kemi tabu ne të bisedojmë me fëmijët”.- u shpreh një prind.

 “Prindi duhet të kujdeset, përveç atyre edhe mësuesit, arsimtarët e kanë për detyrë.'- tha një tjetër.

“Dhe kur bëjmë edukatë seksuale në shkollë na ndajnë veç ose çunat qeshin, vajzat skuqen.'- u shpreh një prind.

“Mendoj se prindërit duhet të flasin me fëmijët për marrëdhëniet seksuale sepse fundja ato janë pjesë e jetës.'- tha një prind.

 “Mendoj që tek të dyja duhet të aplikohen më shumë, nuk është që mësuesit e prindërit nuk kanë mungesë informacioni thjesht duhet të jenë më të mendjehapur që të shpërndajnë më shumë informacione rreth edukimit seksual.'- tha një prind.

Ora 14:58
Mjekja në ‘Përballje’: Mosha e përshtatshme për të kryer marrëdhënie duhet të jetë 18 vjeç e sipër

1711547125_perballje.jpg

Sëmundjet seksualisht të transmetueshme po shtojnë numrin e çifteve infertilë në vendin tonë. Mjekja gjinekologe Edlira Bylykbashi e ftuar në emisionin ‘Përballje’ në Report Tv tha se mosha e përshtatshme për të kryer marrëdhënie është 18 vjeçe.

‘Meraku është sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Edhe nga ana psikologjike fëmijët nuk ka informacionin e duhur për mbrojtjen që duhet të kenë dhe kjo lidhjet edhe me problemet me shtatzënitë e të padëshirushme. Mosha e përshtatshme duhet të jetë 18 vjeçe e sipër e lidhur me aspektin shëndetësor.’- tha mjekja.

Sa i takon edukatës seksuale, mjekja tha se prindërit duhet të sillen më fëmijët si ti kenë shokë dhe shoqe.

‘Fëmijët prindërit duhet t’i kenë shokë dhe shoqe. Duhet të ndajnë të gjitha problemet bazë. Jam që informacionin e  parë duhet ta japë nëna ose babai. Shkolla ka rëndësinë e vet. Ne duhet të jemi mësuesit e parë të fëmijëve tanë për seksualitetin.’- tha mjekja.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?