Sali Berisha dhe Mark Marku

Opinion

Mero Baze: Mark Marku ka refuzuar Sali Berishën, jo PD

27 Gusht 2021, 20:10| Përditesimi: 27 Gusht 2021, 20:15

  • Share

Mark Markun e ka çuar tek dorëzimi i mandatit, kriza reale e Partisë Demokratike, e cila nuk lidhet as me organizimin e partisë, as me manovrat banale të Lulit për të pasur çelsat e kasafortës dhe “kuadrot” e partisë, por fakti që partia është peng i fatit të Sali Berishës. Ky ka qenë në fakt për 30 vjet shkaku i betejave brenda PD.

Por ndërsa në vitet e para dhe të mesme betejat me Berishën ishin kryesisht për pushtet brenda PD-së, tani tetë vitet e fundit, e sidomos katër muajt e fundit, beteja me Berishën është betejë për të shpëtuar, ose shuar PD-në.

Thelbi i revoltës së shumë demokratëve që janë një shumicë e heshtur në PD, ka të bëjë me faktin që PD po kthehet në gardiane të një njeriu i cili është dënuar me vdekje politike përjetësisht, bashkë me familjarët e tij, gruan, djalin e vajzën.

Dhe pikërisht këta katër të dënuar kanë nisur luftën të kapen me thonj pas PD-së, si i mbyturi që kërkon të të mbysë. Të presësh prej tyre se do të mundin SHBA e do vijnë në pushtet, është marrëzi kombëtare.

Refuzimi i Mark Markut për të vazhduar lojën e strucit të Lulzim Bashës, është fillimi i çlirimit të PD-së nga ky makth.

Nuk ka rëndësi tani nëse njerëzit do të shkojnë në shumicë pas Markut, apo pas Berishës, që i ka besuar çelësat e kashtës Lulit.

Të gjithë e dimë se shumica e rrogëtarëve të PD ndjekin vulën dhe borderonë, por jo politikën.

Mark Marku ka zgjedhur politikën dhe politika më e mirë sot në opozitë është të kërkosh një opozitë e cila nuk është peng i Sali Berishës. Çdo gjë tjetër është më pak e rëndësishme.

Është pa shumë rëndësi nëse Basha do të rivendosë idiotë në krye të partisë, është pak e rëndësishme nëse ai do të bëjë opozitë radikale apo të moderuar.

Edi Rama e ka mundur me të dyja variantet, jo se është i zoti vetë, por se opozita është e pabesueshme.

Ajo që i duhet opozitës nuk është të jetë radikale ekstreme, pasi ajo ishte e tillë kur dogji mandatet e bojkotoi zgjedhjet.

Nuk i hyn në punë as kur vendos eunukë në krye të saj. Problemi i opozitës dhe PD është se populli shqiptar i shikon si një tufë pengjesh të Sali Berishës, që duan të gënjejnë shqiptarët në emër të tij.

Nuk i gënjejnë dot. Nuk i gënjente dot Berisha origjinal e jo njerëzit fallco të tij. Opozita e re dhe e besueshme nis me ata që braktisin Sali Berishën.

Dhe sot është dita e parë e rëndësishme e Mark Markut në politikë. Natyrisht, jo me rrogë. Rrogën ia ka lënë Lulit.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?