‘Marie Kraja’ 20 vjet festival, 2 net spektakli në Opera me 16 zëra të rinj! Nga Elhaida Dani tek Eneda Tarifa, në duete emra të njohur të muzikës

26 Mars, 16:14| Përditesimi: 26 Mars, 22:32

  • Share

Festivali Ndërkombëtar i Vokalit Operistik “Marie Kraja” shënon edicionin e 20-të.

Në Teatrin e Operas, ku publiku do të shijojë në datë 28 dhe 29 mars performancat, u bë këtë të martë prezantimi i programit e artistëve pjesëmarrës. Dy netët e spektaklit prezantohen nga sopranoja Enkeleda Kamani dhe gazetari Blendi Sala.

16 artistët konkurrentë janë përzgjedhur nga 250 këngëtarë nga e gjithë bota që aplikuan në fazën e parë. Në 27 mars, juria ndërkombëtare e kryesuar nga Cecilia Gasdia do të bëjë vlerësimin teknik të tyre.

Festivali i themeluar nga Zana Çela e nën drejtimin ekzekutiv të Klejvis Saliajt është kthyer tanimë në traditë, dhe urë lidhëse për këngëtarët drejt bashkëpunimeve të frytshme e skenave prestigjioze.

Do të dirigjojë Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar britaniku Martin Andre që është njëherazi edhe drejtuesi artistik.

16 këngëtarët lirikë do të vihen përballë njeri-tjetrit përmes arieve dhe këngëve. Gjatë natës së parë do të formojnë duete mes njëri-tjetrit ndërsa në finale, me këngëtarë të njohur të skenës vendase si Kamela Islamaj,  Elhaida Dani, Era Rusi, Kejsi Tola Enxhi Nasufi, Eneda Tarifa, Venera Lumani e Lind Islami.

Për t’i shtuar ngjyrat spektaklit, performancat e finalistëve do të komentohen nga mezzosopranoja Vikena Kamenica dhe gazetari Salaj.

Festivali “Marie Kraja” është bërë një trampolinë më shumë suksesi për artistët e rinj, siç janë edhe rastet e sopranos Enlekeda Kamani (2015)dhe baritonit italian Simone Piazzola (2019).

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?