Marie Gusho: Si u ndalua Poradeci
të sillte eshtrat e Asdrenit

16 Tetor 2012, 15:29| Përditesimi:

  • Share
Lasgush Poradeci e ka njohur nga afër Asdrenin kur shkoi në Bukuresht për pikturë, por që nga takimi i parë miqësia e tyre mbeti e përjetshme. Maria Gusho, e ka zbuluar të plotë lidhjen mes tyre në arkivin familjar, në ditarët dhe letërkëmbimet e babait të saj, poetit të madh, që sot nuk jeton më.

Arkiva e Lasgush Poradecit është një burim që nuk shter. Ka ende surpriza si këto që gjenden në librin e ri “Korrespondencë Lasgush Poradeci Asdreni”, të cilin Maria, e bija e poetit e sapo e ka sjellë në dritën e botimit me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe të 25 vjetorit të largimit nga jeta të poetit Lasgush Poradeci. Megjithatë, në këtë botim Maria e ka zhvendosur vëmendjen nga jeta e poetit në atë të Rilindësit të madh Asdrenit. Ka dashur të hedh dritë më tepër, sepse siç thotë ajo, Asdreni dhe Nikolla Naçon i kanë lënë mënjanë në këtë 100-vjetor.

Duke parë këtë libër, korrespondencat e Lasgushit me Asdrenin nuk janë të pakta. Si u zbuluan këto korrespodenca?
-Unë kam shfrytëzuar vetëm arkivin e babait tim. Ky libër vjen në vazhdim të veprës që kemi përgatitur ne të dyja me motrën. Ky është i pesti i radhës. Ndonjëherë për të nxjerrë në dritë veprën e babait ne nisemi nga një fuqi empirike dhe nuk është e lehtë t’ia arrijmë, por Zoti vet e sjell gjithçka në kohën e duhur që të bëhet. Dhe ky libër erdhi tamam në kohën e duhur me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, sepse Asdreni është vjershëtori i Rilindjes Kombëtare, ashtu siç thotë babi në letër ai meritoi titullin e lartë Apostull i Rilindjes Kombëtare. Ai bëri Himnin Kombëtar që ka marrë emrin Himni i Asdrenit.

Pra, kaq shumë korrespodenca tregojnë se babai juaj kishte një lidhje shumë më të ngushtë se ç’dihet publikisht me Asdrenin?
-Po ka qenë një lidhje shumë e ngushtë. Një dëshirë imja e madhe në korrespodencat që po filloj të zbardh të babait tim ishte që, ashtu si Asdreni e ka dashur babin dhe unë kam fituar atë zakonin që t’i dua shumë të gjithë ata njerëz që ka dashur babai im, pra kam nisur ta dua shumë Asdrenin. Asdreni e dalloi veçantinë që kishte Lasgushi dhe duke parë se e bëri këtë kur babi ishte djalë i ri, kjo më gëzon. Këta djem të rinj janë e ardhmja e atdheut dhe do t’i shërbejnë atij, thoshte Asdreni. Këtu del se Asdreni u ka dhënë një ndihmë të madhe të rinjve dhe sa herë që e lexoj një letër të babit mua më vjen për të qarë, kur i thotë Asdrenit “si do ta shpërblejë unë ty atë nder që ti më ke bërë mua”. Mirëpo asgjë nuk shkon kot në këtë botë dhe si të thuash, botimi i këtij libri që del taman për 100-vjetorin është një farë shpërblimi i të gjithave që Asdreni i ka barë babait tim dhe unë për këtë jam shumë e lumtur.

Çfarë të bëri më shumë përshtypje gjatë leximit të korrespodencave?
-Unë e dija që babai kishte pasur shumë miqësi me Asdrenin. Ai bisedonte shpesh për këtë. Tregonte për kohën kur Asdreni ishte në Rumani dhe babi ishte student në Grac. Kështu që ata komunikonin në atë kohë vetëm me letra që është një gjë shumë e mirë sepse ata kanë lënë në këto letra shkrimet e tyre, shenjat, kujtimet, sepse kjo bota e elektronikës i ka prishur ca gjëra. Nuk ngel shkrimi, qoftë edhe ato presjet, të shkuarat kanë vlerën e vetë, se nesër, pasnesër, ato studiohen edhe nga grafologët, kur të bëhet një biografi për këta persona.

Në bisedën tonë të parë, ju më përmendët që babait tuaj i mbeti shumë peng se nuk e lanë të shkonte në Rumani të merrte eshtrat e Asdrenit. Pse nuk e lanë poetin Lasgush Poradeci të merrte eshtrat e mikut të tij më të madh?
- Qeveria e asaj kohe ka shkuar për të marrë eshtrat e Asdrenit dhe për ta varrosur këtu dhe babin nuk e njoftuan fare, absolutisht, për të shkuar në Bukuresht. Dhe kjo ishte një gjë e rëndë për të, sepse babi kishte njohje shumë të thella me Asdrenin, kishin ndarë hallet, megjithëse babi dinte edhe kasollen ku vdiq Asdreni në ‘47-n. Ato vitet e para babanë tim diktatura e quajti borgjez. Babi ka shkuar në Lidhjen e Shkrimtarëve që është bërë ceremonia. Më duket se eshtrat kanë ardhur në ‘72-shin. Edhe pse ishte ne ceremoninë Lidhjes së Shkrimtarëve, babi nuk përmendet fare, babi i ka bërë edhe portretin Asdrenit. Dhe dy mbesat e Asdrenit që erdhën nga Rumania, që i ftuan në këtë aktivitet e takuan Lasgushin me dashuri, por nuk e lanë të rrinte shumë gjatë me to. Këto gjëra babi i ka shkruar në kujtimet e tij….

Si e kujtonte zakonisht Asdrenin në bisedat familjare babai juaj?
-Babi na tregonte se Asdreni ishte një burrë shumë i mirë. Kur vajti babi në Bukuresht dhe shkoi në konsullatën zyrtare të Bukureshtit, Asdreni i doli tek shkallët. Babai ishte një djalë shumë i ri, 22-23 vjeç dhe i bëri përshtypje pritja që i bëri Asdreni. Asdreni nuk e njihte babain tim dhe kjo ishte natyra e Asdrenit, shqiptarët e Bukureshtit e donin shumë. Nëse lexon këto letra Asdrenin do ta veçojmë si njeri nga të gjithë ata që kanë qenë pranë babait tim. Letrat tregojnë sesi mblidheshin e me patriotët e Bukureshtit, si organizoheshin sesi qanin hallet, sesi iu dhimbtë poeti i ri që ishte në gjendje kritike për jetën sepse babai ishte shtruar në spital atje, në kohë të vështira ata u bënë më shumë miq

Pra nga arkivi i babait tuaj, me daljen e këtij libri ju më shumë keni hedhur dritë mbi Asdrenin, siç e thatë edhe vetë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë.
-Po ju thashë që Asdreni është apostull i Rilindjes, dhe rilindësit ishin ata që frymëzuan më së shumti pavarësinë e Shqipërisë. Pa thirrjet e tyre, pa ndërgjegjësimin prej tyre, pa organizatat e tyre patriotike në të gjitha vendet ku mërguan shqiptarët. Pavarësia nuk do të kishte ardhur dot në Shqipëri. Asdreni, Nikoll Naçua i madh, që sot nuk e përmend njeri. I shkriu të gjithë pasurinë e vet për çështje kombëtar dhe u varros me këpucë prej letre.

Në këtë kuadër aktivistesh të rivlerësimit të figurave që shteti po bënë për protagonistët e pavarësisë, nga na tjetër bëni sakrifica vetjake, mendon se duhet të kishit një mbështetje për botimin e serisë së këtyre dokumenteve ë zotëroni?
-Është e vërtetë që jam lodhur shumë. Jemi të lodhur të dyja me motrën, se edhe ajo ka ndihmuar, por e kam bërë me kaq përkushtim këtë punë, sigurisht jo për babin tim, se e kam detyrë dhe do ta bëjë gjithmonë, por desha t’ia shpërblejë Asdrenit për të gjitha ato sakrifica që ka bërë për babanë tim dhe për të gjithë shqiptarët në mërgim. T’ia shpërblej Asdrenit për atë që ka bërë për Pavarësinë. Megjithatë një ndihmë gjatë përpjekjeve tona e kemi pasur, sepse unë kam rregulluar të gjitha veprat e tij në pikturë. Kam bërë gati albumin me to dhe ndërsa po afrohet 25-vjetori i vdekjes së babit. Mua më ka ndihmuar kryetari bashkisë së Pogradecit z. Artan shkëmbi. Ai më ndihmoi edhe për librin për Mitrush Kutelin dhe me përkushtim ka financuar edhe librin për Asdrenin dhe albumin e pikturave.

Pra kur e ka përvjetorin babi?
Më 12 nëntor, me këtë rast do të çelet edhe ekspozita me pikturat e Lasgush Poradecit. I kemi mbledhur me kujdes të gjitha dhe do të jenë të pasqyruara edhe në faqet e Albumit me piktura.


(su.fu/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?