Dimitar Kovaçevski

Maqedonia e Veriut/ Kryeministri Kovaçevski akuzon opozitën për dështimin e hapjes së kapitujve me BE-në

14 Dhjetor 2023, 20:59| Përditesimi: 14 Dhjetor 2023, 21:04

  • Share

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski akuzoi VMRO-DPMNE-në e opozitës pasi Maqedonia e Veriut nuk arriti të kalojë në fazën e dytë të bisedimeve me Bashkimin Evropian për anëtarësim në bllok.

Zoti Kovaçevski tha se partitë anti-NATO, anti-BE dhe proruse në vendin e tij kanë bllokuar rrugën e integrimit. Ndërkaq, VMRO-ja i quan “fushatë të errët” komentet e kryeministrit dhe të partisë Lidhja Social Demokrate. Bashkimi Evropian rikonfirmoi dje vendimin se pa ndryshimet kushtetuese, nuk do të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski fajëson opozitën e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja për mosplotësimin e objektivit të qeverisë së tij për hapjen e kapitujve të radhës në bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Evropian dhe për mungesën e konferencës ndërqeveritare me BE-në.

Zoti Kovaçevski duke folur nga Brukseli në një konferencë shtypi tha se vendi i Maqedonisë së Veriut është në BE dhe se nuk ka kthim prapa nga ky proces. “Si qeveri, - shtoi ai -, punojmë fort që ta realizojmë qëllimin strategjik për anëtarësim në BE deri në vitin 2030”.

Ai tha se ekzistonte mundësia që nga Brukseli delegacioni qeveritar të kthehej në Shkup me një arritje; të mund të hapte kapitujt dhe grupkapitujt në bisedimet me Bllokun.

"Por, u konfirmua se frenuesi i vetëm i shtetit është koalicioni anti-BE, anti-NATO dhe prorus, ai i VMRO-DPMNE-së dhe partisë E Majta”, u shpreh zoti Kovaçevski.

Ai theksoi më tej se qytetarët e vendit për shkak të këtyre politikanëve do të privohen nga mundësia e bashkimit të shpejtë me familjen përparimtare evropiane, teksa akuzoi politikanët opozitarë për patriotizëm të rremë dhe populizëm.

Ndërkaq, sipas VMRO-së është shkalla e larë e korrupsionit të qeverisë që e pengon vendin drejt përparimit. “Ky pushtet i LSDM-së dhe BDI-së është zhytyr në kriminalitet dhe ata janë thelbi i të gjitha problemeve”, u tha gazetarëve Marija Mitevska, zëdhënëse e VMRO-së.

Maqedonia e Veriut ka një kusht të vënë nga Bashkimi Evropian për vazhdimin e bisedimeve dhe ai është ndryshimi i Kushtetutës, përkatësisht përfshirja në të e pakicës bullgare. Këshilli Evropian theksoi dje se sapo të bëhet ky ndryshim menjëherë do të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare.

Ndërkohë, në deklaratën e Këshillit Evropian theksohet po ashtu nevoja e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe asaj për miqësi të mirë me Bullgarinë. Por, lidhur me këtë, opozita maqedonase ka qëndrime të kundërta me komunitetin ndërkombëtar dhe forcat politike proevropiane në vend. Sidomos, sa i takon ndryshimit të kushtetutës, VMRO-ja shprehet se asnjëherë nuk do të pranojë atë që ajo e quan “diktat bullgar”.

Kjo parti nacionaliste, sipas sondazheve ka mbështetjen më të madhe të elektoratit dhe ajo mund të fitojë zgjedhjet e caktuara për në pranverë. Një pjesë e analistëve vlerëson se ndryshimet kushtetuese do t’i mbeten përbërjes së ardhshme të parlamentit t’i miratojë qoftë edhe me VMRO-në nëse do të vijë në pushtet./ VOA

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?