Ministri Brendshëm i Bullgarisë Oliver Spasovski dhe Ministri i Brendshëm i Bullgarisë, Bojko Rashkov

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kryejnë stërvitje të përbashkët policore, ministri Oliver Spasovski: Shtysë drejt marrëdhënieve të mira

1 Korrik 2022, 11:43| Përditesimi: 1 Korrik 2022, 11:59

  • Share

Njësitë speciale policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe njësitë speciale policore analoge të Bullgarisë do të kryejnë sot në Bullgari një stërvitje të përbashkët, ku do të marrin pjesë edhe dy ministrat e Brendshëm të vendeve përkatëse.

Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, i cili në Sofje u takua me homologun e tij bullgar, Bojko Rashkov, tha se shpreson se ky aktivitet i përbashkët të jetë një shtysë drejt marrëdhënieve të mira midis RMV-së dhe Bullgarisë.

“Shpresoj se kjo vizitë e jona do të jetë një shtysë shtesë drejt marrëdhënieve të mira ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, një shtysë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe do të jetë një mesazh i mirë i bashkëpunimit, miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, u shpreh Spasovski.

Spasovski theksoi se kjo është stërvitja e parë e përbashkët e njësive speciale policore të dy vendeve, e cila do të tregojë gatishmërinë në situata të caktuara për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe përtej.

Sipas Spasovski-t, ekziston një bazë e mirë përmes së cilës është krijuar qendra e përbashkët e kontaktit për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, shkëmbimin e të dhënave dhe informacioneve dhe bashkërisht kontribuojmë në rritjen e sigurisë së të dyja vendeve dhe qytetarëve të tyre.

Në takim, Spasovski dhe Rashkov biseduan për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit, si dhe për hapjen e pikës së re kufitare Berovë – Klepalo.

Ngërçi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut është në prag të zgjidhjes, ku “çelësi” ka qenë propozimi i presidentit francez Emanuel Macron. Në ditën e fundit të Presidencës franceze të Bashkimit Evropian, në tryezën e qeverisë së Shkupit mbërriti  zyrtarisht propozimi francez për zgjidhjen për heqjen e vetos bullgare me garancinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Macron tha se ka marrë dakordësinë e kryeministrit dhe presidentit të Bullgarisë për propozimin francez, dhe pret që diskutimet në qeverinë e Shkupit të jenë pozitive. Në Maqedoninë e Veriut pritet të nisin konsultimet e gjera në qeveri dhe partnerët e koalicionit, presidentin, parlamentin, opozitën dhe me shoqërinë civile. 

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?