Kosova & Rajoni

Maqedoni e Veriut, pas Zaevit, drejt dorëheqjes e gjithë qeveria

1 Nëntor 2021, 09:34| Përditesimi: 1 Nëntor 2021, 09:35

  • Share

Dorëheqja e mbrëmshme e kryeministrit Zoran Zaev, në fakt do të thotë dorëheqje e gjithë Qeverisë. Sipas nenit 93 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, Zaev tani duhet me shkrim ta njoftojë kryetarin e Kuvendit, ndërsa më pas vijon procedura për zgjedhjen e Qeverisë së re. Neni 93 i Kushtetutës së Maqedonisë thotë se “… dorëheqja e kryeministrit, vdekja e tij ose pengimi i përhershëm i tij në kryerjen e detyrave të tij, sjell dorëheqjen e Qeverisë. Qeveria ndaj të cilës është votuar votëbesimi, ka dhënë dorëheqje ose mandati i së cilës është ndërprerë për shkak të shpërndarjes së Kuvendit, qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re”.

Pra, zyrtarisht dhe ligjërisht kryeministri dhe qeveria aktuale vazhdojnë të punojnë derisa presidenti i shtetit t’ia ndajë mandatin për përbërjen e Qeverisë kandidatit të partisë, pra partive që kanë shumicën në Kuvend. Më pas, mandatari i ri për kryeministër, në afat prej 20 ditësh nga dita e marrjes së mandatit, duhet të paraqesë program në Kuvend dhe të propozojë përbërjen e Qeverisë së re. Pas rezultateve të djeshme të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe humbjes bindëse të kandidatëve të LSDM-së, Zoran Zaev dha dorëheqje si nga posti i kryeministrit ashtu edhe nga kryesia e LSDM-së.

“Unë marr përgjegjësi për veten time. Jap dorëheqje nga pozita e kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së. I përgëzoj të gjithë qytetarët përparimtarë që luftuan fort për Maqedoninë e Veriut të integruar”, tha Zaev mbrëmë.

Megjithatë, ai shtoi se shumica parlamentare është stabile dhe se pret që edhe të rritet, se mandati për përbërjen e qeverisë së re mbetet në duart e LSDM-së dhe se mandati katërvjeçar i koalicionit me BDI-në duhet të përfundojë. Nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, tha mbrëmë Zaev. Ndërsa nga ana tjetër, krerët e partive opozitare gjatë fushatës parazgjedhore kanë njoftuar shumicë të re parlamentare, qeveri të re dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. /Telegraf

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?