Maqedoni e Veriut/ Kuvendi i miraton dorëheqjen, Zoran Zaev: Dëshiroj të jap shembull! Pritet mandatimi i Kovaçevskit

23 Dhjetor 2021, 15:32| Përditesimi: 23 Dhjetor 2021, 17:09

  • Share

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, gjë që është pritur me duartrokitje nga VMRO-DPMNE-ja opozitare. Dorëheqja e kreut të Qeverisë është konstatuar pa debat në seancën e Kuvendit, pasi këtë e ka kërkuar Zaevi në arsyetimin me shkrim të dorëheqjes.

Zaev, dorëheqjen nga Qeveria e ka paralajmëruar më 31 tetor, pas disfatës së thellë të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM) në zgjedhjet lokale. Ai ka marrë përgjegjësinë për humbjen nga VMRO-DPMNE-ja duke dhënë dorëheqjen edhe nga drejtimi i partisë.

“Dëshiroj të jap shembull për të njohur vendimet e virtytshme kur është e nevojshme dhe për të dhënë një kontribut tjetër në forcimin e kapaciteteve demokratike të popullit, por edhe liderëve të ardhshëm që të jenë të vetëdijshëm për detyrën e tyre qytetare kur kujdesen për vendin e tyre”, ka shkruar Zaev në arsyetimin e aktit të dorëheqjes.

Pas konstatimit të dorëheqjes, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka njoftuar presidentin Stevo Pendarovski, i cili në afat prej dhjetë ditëve duhet të caktojë mandatarin e ri për kryeministër të Maqedonisë së Veriut. Ai do të jetë, Dimitar Kovaçevski, kryetar i Lidhjes Social-Demokrate, pasi paraprakisht ka njoftuar se ka shumicën parlamentare në Kuvend.

Pjesë e Qeverisë së re, përveç LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, do të jetë edhe partia Alternativa, e cila zëvendëson Lëvizjen Besa, që pas zgjedhjeve lokale u largua nga Qeveria. Shumica e re parlamentare ka 64 deputetë nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Mandatari, sipas kushtetutës, brenda 20 ditëve duhet të dorëzojë për miratim në Kuvend përbërjen e re qeveritare, e cila votohet me 61 vota të deputetëve. Qeveria e re, bazuar në afatet kushtetuese, duhet të zgjidhet më së voni deri nga mesi i muajit janar të vitit 2022.

Kryeministri i deritashëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, finalizoi dorëheqjen e tij më 22 dhjetor. Deri nga mesi i janarit të vitit 2022, Maqedonia e Veriut do të ketë Qeveri të re, që do të udhëhiqet nga Dimitar Kovaçevski, kryetari i ri i Lidhjes Social Demokrate (LSDM). Në krye të ekzekutivit, ai do ta zëvendësojë Zaevin.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?