Hristijan Mickoski, kreu i VMRO-DPMNE

Maqedoni e Veriut, kreu i VMRO-DPMNE: Nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, vendi është në krizë duhen zgjedhje

19 Gusht 2023, 19:52| Përditesimi: 19 Gusht 2023, 19:55

  • Share

Nuk ka shanse që ndryshimet kushtetuese të kalojnë nën diktatin bullgar, deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski pas seancës së një dite më parë në Kuvend lidhur me nevojën për hapjen e Kushtetutës.

Sipas Mickoskit, vendi ka hyrë në një krizë të rëndë politike dhe kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai përsëriti se VMRO-DPMNE-ja angazhohet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por jo me kushte të tilla.

“Ne kemi folur shumë herë për vijat tona të kuqe dhe në këtë moment po flasim për mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ata janë të shqetësuar për përfundimin e karrierës së tyre personale dhe janë të frikësuar, ata janë shumë të frikësuar për fatet e tyre personale. Nuk është e vërtetë se koncepti i Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian është mposhtur, siç dëshiron ta prezantojë Qeveria, por është mposhtur koncepti i tyre për t’i parë gjërat ashtu siç Maqedonia mund të vijë ose të mos vijë kurrë në Bashkimin Evropian. Sigurisht, jo me çmimin e humbjes së identitetit”, deklaroi Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE.

Mickoski shtoi se pas zgjedhjeve do të ofrojë, siç e quajti ai, zgjidhje patriotike për të vazhduar rrugën e integrimeve evropiane. Ai përsëriti se VMRO-DPMNE do të kërkojë garanci nga institucionet e Bashkimit Evropian për identitetin maqedonas,  paketë socio-ekonomike për qytetarët dhe biznesin, si dhe zbatimin nga Bullgaria të së paku tre nga 14 aktgjykime të Gjykatës për të drejtat e njeriut në Strasburg për të drejtat e pakicës maqedonase. Sipas tij, për gjendjen aktuale fajtor është edhe Brukseli, ndërsa me këto kërkesa, siç shtoi ai, Bashkimi Evropian do të ketë mundësi ta korrigjojë gabimin në të cilin e ka zhytur Maqedoninë.

“Ne dëgjojmë mesazhet e partnerëve tanë nga komuniteti ndërkombëtar. Ne i dëgjojmë absolutisht mesazhet e partnerëve tanë nga Bashkimi Evropian, por për atë që ne jemi gjetur në një situatë të këtillë, faj kanë edhe ata. Pse kanë faj? Sepse kur e dakorduan këtë, me këtë Qeveri të LSDM-së dhe BDI-së apo të BDI-së dhe LSDM-së, si të doni, ata nuk e panë të arsyeshme ta konsultojnë VMRO-DPMNE-në dhe popullin maqedonas si shumicë, deri tani, komuniteti më i madh etnik në këtë vend të vetëm për ta”, shtoi Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE.

Më herët shumë liderë të BE-së kanë theksuar se nuk ka mundësi për rinegociim të marrëveshjes mes Shkupit dhe Brukselit dhe nuk ka disponim për konkluzione të reja. Megjithatë, sipas Mickoskit, kërkesat e tij nuk janë në kundërshtim me kornizën aktuale të negociatave dhe konkluzionet e Këshillit të BE-së. /Alsat.mk

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?