Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës: Jemi të gatshëm të përballemi me kërcënimet nga Serbia

6 Prill, 14:29| Përditesimi: 6 Prill, 14:38

  • Share

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) mund të përballen me çdo kërcënim që mund të vijë nga Serbia, e cila ka dislokuar ushtrinë në numër të madh pranë kufirit me Kosovën.

Në një intervistë për Anadolun, ministri Maqedonci ka folur për tensionet e fundit me Serbinë, procesin e transformimit të FSK-së në ushtri dhe planet për anëtarësimin e Kosovës në NATO, ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe marrëdhëniet ushtarake turko-kosovare.

Maqedonci vlerësoi se vendosja e njësive të shumta të ushtrisë serbe në jug të territorit të saj, afër kufirit me Kosovën, paraqet rrezik për vendin.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm. Njësitet e FSK-së janë të gatshme kundër të gjitha llojeve të kërcënimeve dhe rreziqeve me të cilat mund të përballet vendi ynë”, ka thënë ai, duke shtuar se ushtria dhe xhandarmëria serbe kanë 48 baza operative afër kufirit me Kosovën.

Kosova dhe vendet e tjera fqinje, siç thotë Maqedonci, e shohin armatimin e ushtrisë serbe dhe blerjen e sistemeve të ndryshme të armatimit nga Kina, Rusia dhe Irani si kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë.

Ai vlerësoi se këto veprime bazohen në politikën hegjemoniste dhe agresive të Qeverisë së Serbisë ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë.

“E gjithë kjo është thënë qartë. Së fundmi ka pasur deklarata të presidentit Vuçiq se Serbia është duke pritur kohën e duhur për aksion ushtarak kundër Kosovës. Pra, kjo na mban vigjilentë, nuk kemi frikë nga këto ngjarje, por na tregon se duhet të përmirësojmë kapacitetet tona dhe të ndërtojmë ushtrinë tonë, jo vetëm që të përballemi me këtë kërcënim, por edhe të përballemi me kërcënime të tjera që ndikojnë në sigurinë e vendit dhe territorit tonë”, ka deklaruar Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës ka thënë se FSK-ja është në fazën e dytë të transformimit në ushtri, me fokus në rritjen e kapaciteteve të këmbësorisë dhe luftarake për mbrojtje, ndërsa në fazën e tretë dhe të fundit do të hyjnë në vitin 2025. Ai shton se në këtë kuadër fokusi do të jetë ndërtimi i artilerisë, mbrojtjes ajrore dhe kapaciteteve mbështetëse luftarake deri në vitin 2028.

Maqedonci ka vlerësuar se ushtarët turq që shërbejnë në misionin e KFOR-it që nga viti 1999 janë shumë të rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë. Ai ka vlerësuar se Kosova dhe Turqia kanë “marrëdhënie të veçanta” në fushën ushtarake, bazuar në lidhjet kulturore dhe historike.

Duke folur për dronët Bayraktar që Kosova i bleu nga Turqia, Maqedonci theksoi se proceset e testimit dhe trajnimit po vazhdojnë.

“Ne kryejmë aktivitete të ndryshme me ta dhe realisht i shohim si aset themelor të FSK-së”, ka potencuar ministri i Mbrojtjes.

FSK-ja ka filluar transformimin në vitin 2018, dhe procesi pritet të zgjasë 10 vjet. KOHA

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?